English

Berisha, në inaugurimin e "COIN"

Tiranë, 13 mars, NOA - Një ngjarje e madhe për jetën e kryeqytetit dhe për tregun shqiptar në tërësi. Kështu e ka cilësuar kryeministri Berisha Qendrën e re Tregtare dhe vendosjen në Shqipëri të një prej 10 kompanive më të mëdha të shitjes në Europë, grupit "COIN", gjatë fjalës së mbajtur në inaugurimin e kësaj qendre, e cila sipas tij është gjithashtu edhe dëshmi e vitalitetit, entuziazmit të ekonomisë shqiptare, të sipërmarrjes së lirë në Shqipëri.

"Në një hark kohor as tre mujor, në Tiranë dhe periferinë e saj, vetëm në sektorin e magazinave të shitjes janë inauguruar investime prej rreth 160 milion dollarë, Qendra ABA, Praktiker, City Park, Megatek dhe shumë kompani të tjera", bëri me dijeni Berisha.

Më tej, theksoi se inaugurimi i Qendrës Tregtare të Tiranës dhe i kompanisë COIN shënon një investim të madh prej 65 milion euro, sikundër shënon gjithashtu një punësim të konsiderueshëm prej 400 punonjës në të gjithë sektorët e saj.

Kryeministri Berisha shtoi më tej se inaugurimi i kësaj qendre, si një bashkëpunim shqiptaro-italian i sektorit privat, është edhe një zhvillim shumë i mirëpritur, në sintoni të plotë me marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe të gjithanshme që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe dëshmi e vitalitetit, entuziazmit të ekonomisë dhe sipërmarrjes së lirë në Shqipëri.

Nga ana e tij, edhe ambasadori italian D'Elia e vlerësoi gjithashtu, hapjen e kësaj qendre dhe prezencën e grupit "COIN" në Shqipëri si një moment tjetër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike.

"Grupi COIN, - tha ambasadori D'Elia - ka punuar së bashku me miqtë shqiptarë prej muajsh të tërë për të realizuar këtë qendër kaq të fuqishme dhe të rëdësishme. Grupi COIN ëhstë një grup mjaft i rëndësishëm jo vetëm në Itali, por edhe në Europë në fushën e veshjeve dhe të pajisjeve të shtëpisë. Shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve është edhe zgjedhja që ka bërë grupi COIN për të hapur në Shqipëri qendrën më të madhe të saj jashtë Italisë.

n.e/NOA

KOMENTE