English

E vërteta flet ndryshe

Teza e Schmitt-it dhe e ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut dhe atë të Rilindjes Shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja Shqiptare - pjellë e Iluminizmit europian - nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin

Nga Ismail Kadare*

(*) Ismail Kadare ia ka dërguar këtë letër drejtorit të gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, si reagim ndaj artikullit të shkruar nga Michael Martens, botuar më 8 mars 2010 Zoti Drejtor, Lexova me një habi të madhe një shkrim të botuar në gazetën tuaj, më 8 mars 2010, shkruar prej gazetarit Michael Martens. Si shkrimtar jam mësuar të mos habitem lehtë nga keqkuptimet, moskuptimet, madje dhe nga dezinformimet e shtypit. Çdo njeri publik e di se kjo është e pashmangshme. Ndërkohë, vendosa t'ju dërgoj reagimin tim për këtë artikull, për arsye se e çmoj gazetën tuaj, dhe sinqerisht më ka ardhur shumë keq që një dezinformim tepër i rëndë dhe dëmtues për mua si shkrimtar është botuar pikërisht tek ju. Në shkrimin ku z. Martens flet për historinë e botimit në Shqipëri të një libri për Skënderbeun prej autorit zviceran, Oliver Schmitt, duke përmendur debatin që ky libër shkaktoi, shkruan midis të tjerash se "Botimi i librit shpërtheu një furi nacionaliste ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare". Nuk është nevoja të zgjatem për të thënë se akuza është tepër rëndë dhe diskredituese për një shkrimtar, sidomos në kontekstin ballkanik. Dihet botërisht se shkrimtarët nxitës fushatash nacionaliste në Ballkan janë akuzuar me të drejtë, si nxitës të krimeve dhe të tragjedisë në konfliktin e fundit. Ndër ta, siç mund ta dini, bënte pjesë poeti famëkeq Karaxhiq, që sot ndodhet në Hagë. Zoti Martens mund të ketë çdo lloj opinioni për mua dhe veprën time, por ai nuk ka të drejtë të botojë një trillim të tillë në një nga gazetat më të mëdha të Europës. Unë nuk kam nxitur kurrë në jetën time asnjë fushatë nacionaliste dhe aq më pak shoqëruar nga ndonjë kryeministër a president i çfarëdo regjimi qoftë. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Kam botuar në Gjermani më shumë se pesëmbëdhjetë libra dhe kam dhënë me dhjetëra intervista, në të cilat mund të vërtetohet e kundërta e asaj që thotë z. Martens. Është e vërtetë se në Shqipëri u ngrit një stuhi të vërtetë kundër librit të Schmitt'it, por të thuash se atë e nxiti shkrimtari Ismail Kadare është një trillim i pastër. Teza kryesore e z. Schmitt që shkaktoi acarim, ishte motivi i kryengritjes 25-vjeçare të liderit shqiptar. Sipas mendimit të historianit zviceran, motivi i aksionit nuk ishte ideja e lirisë, por thjesht një gjakmarrje vetjake e Skënderbeut. Në një nga ndërhyrjet e rralla të mia, e kam cilësuar këtë si fyerje jo vetëm për personazhin, por edhe për popullin shqiptar, si popull për të cilin ide të tilla të larta si liria, sipas Schmitt-it, janë të panjohura. I përmbahem këtij mendimi, madje dua të shtoj se në këtë këmbëngulje të historianit gjej një fije të tërthortë racizmi. Sa për mohimin e karakterit europian të aksionit të Skënderbeut, jo vetëm është një trillim i pastër, por desha të shtoj se jam kritikuar shpesh për të kundërtën, për theksim të përmasës europiane të heroit. Teza e Schmitt'it dhe e ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut dhe atë të Rilindjes Shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja Shqiptare - pjellë e Iluminizmit europian - nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin. Sa për tezën e përkatësisë etnike të Skënderbeut, me atë është abuzuar vërtet, por kanë qenë pikërisht rrethet nacionaliste joshqiptare që e kanë bërë një gjë të tillë, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës. Ajo përdoret ende sot, siç e tregon deklarimi i Heinz-Christian Strache, kryetar i FPÖ (Freiheiliche Partei Osterreischs), më 23 shkurt 2008: "Kosova është një rajon i stërlashtë serb. Veç kësaj, kryeheroi i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është në të vërtetë një serb, me nënë serbe dhe baba serb". ( ... ein Serbe mit einer serbischen Mutter und einem serbischem Vater). Një përdorim i pastër politik, veç jo në favor të shqiptarëve, por kundër tyre. Me bindjen se do ta botoni këtë letër, Ismail Kadare

KOMENTE