Tiranë, 13 mars, NOA, Milena Selimi - Më i miri ndër 15 konkurrentët për bustin në bronz të Fan Nolit, u shpall skulptori Andrea Demçe. Njoftimi bëhet i ditur nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht atë si fitues të Konkursit për realizimin në skulpturë të bustit të Fan Nolit.
Boceti i tij u shpall më i miri ndër 15 konkurrentët. Mësohet se në këtë konkurs-boceti morën pjesë skulptorët: Vladimir Llakaj, Bujar Vani, Ardian Pepa, Endrit Rama, Emanuel Koko, Ylli Beqiri, Selim Kulla, Maksim Bushi, Agim Rada, Nesti Shukraja, Arben Bajo, Artan Hajdari, Artan Peqini, Veli Blakçorri.Bocetet u vlerësuan nga një komision që kishte për kryetar Drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve Rubens Shima dhe për anëtarë piktorin Gazmend Leka dhe studiuesen Suzana Varvarica Kuka.
Komisioni e vlerësoi punimin e Demçes për "respektimin e drejtimit artistik realist të modelit skulpturor dhe pamjen intelektuale dhe fizionominë e afërt me personalitetin e Fan Nolit".
Në informacionin e Galerisë Kombëtare, jepen edhe argumente të tjera për vlerësimin e bërë: "Mbi modelin fitues u diskutua thellësisht dhe u argumentua mbi vlerat e tij më të arrira që janë: përqasje me ngjashmërinë e karakterit vizual dhe me frymën e fizionomisë dhe personalitetit intelektual të Fan Nolit".
Komisioni i ngritur për këtë konkurs do ta ndjekë punën e Demçes gjatë kohës së realizimit të bustit, që nga modelimi i tij deri në derdhjen e tij në bronz. Busti i Fan Nolit do të vendoset në sheshin "Republika" të Ibrik Tepesë, Turqi, vendi i lindjes së tij.
m.s/NOA