English

Klinton: Përparimi i gruas dhe i njerëzimit

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në Pekin, 189 shtete miratuan "Platformën për veprim", që ishte angazhim i qeverive për një qasje më të madhe të grave në arsim, kujdes shëndetësor, punësim, kredi dhe në mbrojtje të së drejtës së tyre për të jetuar pa dhunë

Nga Nik Krastev

Gjatë javës që po lëmë pas, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, foli në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork rreth përparimit të shënuar në përmbushjen e këtyre qëllimeve. Klinton foli mes të tjerash edhe për rolin që luajnë gratë në përmbushjen e synimeve amerikane në politikën e jashtme. "Gratë në mbarë gjithë botën po punojnë shumë për të përmbushur pjesën e tyre të detyrimeve për të përmirësuar statusin e grave dhe vajzave. Këto përpjekje ndikojnë njëherësh në përmirësimin e statusit të familjeve, komuniteteve dhe shteteve", tha Klinton, e cila 15 vjet më parë në Pekin, në hartimin e Platformës, merrte pjesë si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara. Klinton, në fjalimin e së premtes në Kombet e Bashkuara, nënvizoi rëndësinë e punës, ndonjëherë të padukshme të miliona grave; nga ato që luftojnë dhunën në familje, e ngrenë strehimore për gratë viktima të dhunës, gratë që shpëtojnë vajzat e mitura nga bordelet e Kamboxhias, tek ato që luftojnë për gratë në poste publike në Kuvajt, apo të tjera gra që u ofrojnë ndihmë ligjore grave në Kinë. Ndonëse mund të kalojnë shpeshherë pa u vënë re, gratë janë heroinat e vërteta, derisa krahasuar me 15 vjet më parë janë shënuar suksese konkrete në fuqizimin e grave. "Sot, më shumë vajza ndjekin shkollën, ka më shumë gra të punësuara dhe më shumë femra që mbajnë poste publike. Përderisa gratë kanë fituar të drejtën për të punuar, mësuar e për pjesëmarrje në shoqëritë e tyre, kontributet e tyre ekonomike, politike e sociale janë shumëfishuar", theksoi shefja e diplomacisë amerikane. Me gjithë përmirësimet, ende ka probleme të shumta. Ka një numër të konsiderueshëm shtetesh që kanë ligje diskriminuese ndaj grave, apo ligje që nuk zbatohen si duhet kur vjen puna te gratë. Ndonëse gratë përbëjnë shumicën e bujqve në botë, shpesh atyre iu mohohet e drejta për të pasur tokë në pronësi. Një nga caqet që duhet të arrihet, theksoi Klinton, është vendosja e shenjës së barazimit mes grave dhe përparimit. "Duhet të deklarojmë njëzëri se përparimi i gruas është përparim i njerëzimit", tha Klinton. Kryediplomatja amerikane nënvizoi se, kur gratë janë të lira të zhvillojnë aftësitë e tyre, përfiton gjithë shoqëria. Kur gratë garojnë për poste publike, qeveritë janë më efikase dhe më të ndjeshme ndaj qytetarëve të tyre. Kur gratë janë të lira të fitojnë jetesën dhe kur nisin biznese të vogla, statistikat tregojnë se ato shndërrohen në element kyç të rritjes ekonomike. Vuajtjet dhe shtypje e grave ecin dorë për dore me mungesën e stabilitetit dhe të zhvillimit të një vendi. Klinton theksoi se fuqizimi i grave është në zemër të politikës së jashtme amerikane. /rfe/

KOMENTE