Berat, 13 mars, NOA - Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, së bashku me deputetin e qarkut të Beratit, Nasip Naço, zhvilluan sot një sërë takimesh në Berat, Çorovodë dhe Poliçan.
Në këto takime, drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim shpallën planet ambicioze për zgjedhjet lokale duke deklaruar se LSI do fitojë një sërë njësish vendore.
Naço dhe Vasili në fjalën e tyre vlerësuan si prioritet të LSI-së këto zgjedhje, ndaj vunë në pah organizimin dhe përgatitjet në mënyrë që në gjatë tyre të realizohen synimet e LSI-së.
"Ne po përgatitemi për këto zgjedhje dhe fokusi ynë si parti politike do të jenë këto dhe vetëm këto zgjedhje, si etapë shumë e rëndësishme e veprimit tonë politik dhe si etapë e patjetërsueshme për të transformuar rrënjësisht raportin e qytetarit me qeverisjen vendore", u shpreh në fjalën e tij Vasili.
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kushtuar një rëndësi të veçantë procesit të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme lokale.
n.e/NOA