English

PS: INSTAT bën propagandë për Berishën

Tiranë, 13 mars, NOA - Partia Socialiste ka akuzuar sot Institutin e Statistikave (INSTAT), si institucion që është vënë në shërbim të kryeministrit dhe mazhorancës. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, e quajti këtë institucion "si Institut i Propagandës Berishiane".

Në një deklarata dhënë sot për mediat, Beqja u shpreh se të gjitha të dhënat janë të falsifikuara nga INSTAT.

"Për Partinë Socialiste, informacioni statistikor, është e mirë publike dhe detyrim publik. Në mbrojtje të kësaj të mire publike dhe në përmbushje të këtij detyrimi publik, ne përsërisim se po vlerësojmë edhe mundësinë e një padie penale ndaj këtij institucioni që nga pasuri kombëtare është kthyer në Institut të Propagandës Berishiane", u shpreh Beqja.

Ai theksoi se prej muajsh, Partia Socialiste ka ndjekur me shqetësim fshehjen që po i bëhet statistikave zyrtare, nga Instituti i Statistikave "që është katandisur në një vegël në shërbim të demagogjisë së Sali Berishës".

Sipas tij prej katër muajsh Instituti i Statistikave nuk është në gjendje t'u tregojë shqiptarëve se sa janë shtrenjtuar shpenzimet shëndetësore.

"Prej disa javësh, në tejkalim të afateve ligjore, INSTAT nuk u tregon shqiptarëve se cili është volumi i tregtisë me pakicë në vitin 2009. Prej disa javësh, në tejkalim të afateve ligjore, INSTAT nuk u tregon shqiptarëve se sa është papunësia, të paktën ajo zyrtare, në vitin 2009", u shpreh Beqja.

Deputeti i PS-së ka shtuar se rasti më i fundit është ai i inflacionit.

"Instituti i Statistikave, humbi edhe sot rastin të shpjegojë botërisht pse në 8 shkurt e shpalli inflacionin e muajit janar 3.6 % dhe në 8 mars, po për inflacionin e muajit janar deklaroi se është 4.1 %", u shpreh Beqja.

m.xh/NOA

KOMENTE