English

Sulmohet pika kufitare në Mitrovicë

Mitrovicë, 13 mars, NOA - Një shpërthim i fuqishëm dhe të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pas mesnatës, në pikën kufitare të portës 31, në Brnjak, të Zubin Potokut në kufirin e Kosovës me Serbinë.

Lajmi konfirmohet nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës. Sipas PK-së, në bazë të raporteve të para policore nuk është mësuar ende lloji i lëndës plasëse dhe numri i personave që kanë qëlluar me armë.

Shkëmbimi i zjarrit ka shkaktuar dëme materiale në një automjet të EULEX-it dhe kontejnerë të policisë së Kosovës.

"Policia ka identifikuar vendin ku besohet të ketë qenë hedhur mjeti shpërthyes, ndërsa ekzaminimi i vendit të ngjarjes nën drejtimin e hetuesve rajonal për krime serioze dhe teknikëve të kriminalistikës ka përfunduar rreth orës 05:00min", thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërsa sqarohet se nuk është raportuar për persona të lënduar.

Policia e Kosovës, bën të ditur se bashkë me drejtues policie të EULEX-it, ka iniciuar dhe është në zhvillim të hetimeve intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe të dyshuarit e mundshëm të këtij akti kriminal.

Pika kufitare në portën 31, Brnjak, ka qenë e mbyllur përkohësisht në të dy kahet e qarkullimit nga momenti i incidentit deri në përfundimin e ekzaminimit të vendit të ngjarjes.

Kjo pikë kufitare tani është e hapur për qarkullimin e njerëzve dhe të automjeteve.

m.xh.NOA

KOMENTE