English

Tahiri: Berisha, përgjegjës për korrupsionin

Tiranë, 13 mars, NOA - Mazhoranca duhet t'u kërkojë ndjesë shqiptarëve për vlerësimet negative që po merr vendi në raportet e ndërkombëtarëve. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste në lidhje me Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, u shpreh sot se raporti i DASH e paraqet situatën ashtu siç është në të vërtetë dhe mazhoranca duhet të reflektojë për këto kritika.

"Kjo maxhorancë është përgjegjëse jo vetëm pse për turp ka katandisur vendin pas Ruandës e Ugandës në listën e zezë të vendeve më të korruptuara të planetit, por edhe sepse nuk ndjen më të voglin detyrim të ulë kokën, t'i kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe të bëjë ç'është e mundur të riparojë ç'të mundet në kaq kohë sa i ka mbetur", - u shpreh sot Tahiri në një deklaratë për mediat.

Ai ka theksuar se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ashtu si edhe raportet e pothuajse të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar dhe vlerësuar Shqipërinë, pasqyron gjendjen reale të zhvillimeve në vendin tonë, "gjendje që fatkeqësisht nuk është ashtu siç kërkon ta shesë qeveria".

Për deputetin e PS-së, raporti vlerëson se Policia e Shtetit ka performancë mjaft të dobët, për shkak të korrupsionit, rekrutimit të militantëve dhe sjelljes jo profesionale.

"Raporti vlerëson se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, dominohet nga korrupsioni dhe informaliteti. Vlerëson se korrupsioni në sistemin arsimor është gjerësisht i përhapur. Raporti vlerëson se korrupsioni qeveritar, pra jo korrupsioni në tërësi, por korrupsioni qeveritar, mbetet pengesa kryesore për reformat themelore në vend", - tha Tahiri.

Për të gjitha këto deputeti i PS-së, Tahiri ka akuzuar kryeministrin Berisha si përgjegjës: "Jo vetëm pse gënjen shqiptarët dhe ndërkombëtarët me gjoja luftën e pakompromis kundër korrupsionit, por pikërisht pse ka bërë kompromis me interesa korruptive për pushtetin e tij familjar dhe politik, duke marrë në mbrojtje ata që jo vetëm ne, por e gjithë bota anembanë, i njeh si ministra të akuzuar për korrupsion, por të shpëtuar nga kryeministri me kamerdaren e imunitetit", u shpreh Tahiri.

m.xh/NOA

KOMENTE