Korçë, 13 mars, NOA- Vjedhja e një kazinoje në qytetin e Korçës ka çuar policinë në gjetjen e një arsenali armësh dhe një sasie të konsiderueshme droge. Lajmi konfirmohet nga policia e Korçës dhe i arrestuari është Lorenc Pepllashi, lindur dhe banues në lagjen 6 në Korçë.
Sipas policisë arrestimi i tij është bërë për veprat penale të "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armeve luftarake dhe municionit, prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe atyre sportive, si dhe prodhim dhe shitja të narkotikëve" si dhe i dyshuar për veprën penale të "Vjedhjes me dhunë".Pepllashi ka vjedhur me dhunë pikën e lojërave të fatit "Admiral Club", ku ka marrë prej saj 100 000 lekë.
Pas hetimit të policisë për këtë vjedhje dhe pas dëshmisë së punonjëses së shërbimit në këtë pikë lojrash fati, XH.N, policia ka arritur të identifikojë autorin e vjedhjes.
"Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi Lorenc Pepllashi është personi i dyshuar kryesor për këtë vepër penale dhe pas ushtrimit të një kontrolli në banesën e tij u gjenden një sasi e ngjashme me atë të lendë narkotike Canabis Sativa, me peshë 128 gr, një sasi municioni prej 580 fishekësh luftarake model 54, si dhe një armë sportive të cilat i mbante pa leje", thuhet në njoftimin e policisë së Korçës.
m.xh/NOA