Korinth, 13 Mars NOA - Një vogëlushe shqiptare u dërgua në spitalin lokal pak minuta pasi u sulmua nga një qen i racës Pitbull, ndërsa po qëndronte në afërsi të shtëpisë së saj, buzë rrugës.
Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Korinthit, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Vajza gjashtë vjeçe e një familjeje emigrantësh shqiptarë, gjendej prej disa minutash në rrugë, jo larg shtëpisë, së bashku me nënën e saj, kur një qen i racës Pitbull si ky që shihni në foto, iu vërsul duke e kafshuar fëmijën dhunshëm.
Mamaja e të voglës por edhe fqinjët u alarmuan ndërkohë që qeni iu rikthye shtëpisë së tij duke rendur.
E vogla u dërgua në spitalin shtetëror të Korinthit, ku mjekët thanë se nuk ka rrezik për jetën e saj.
Policia tha se pronari i qenit, u kallëzua penalisht dhe një akuzë i mbërriti Prokurorisë së Korinthit, edhe pse qeni i racës Pitbull mbahej me leje të autoriteteve, por masat e sigurisë si mbulimi i gojës me mbyllëse mungonte.
Ndërkohë qeni që sulmoi vajzën, është izoluar në mjediset e policisë së Korinthit ku pritet t'i bëhet një ekzaminim nëse paraqet rrezik të mëtejshëm për sulm ndaj njerëzve.
n.s/NOA