English

Ditë Vere në Elbasan, festa nisi mbrëmë, ja detajet

Elbasan, 14 Mars NOA - Dita e Verës po kremtohet pasivisht në qytetin e Elbqasanit ku disa dhjetëra mijë vetë nga fshatrat përreth, nga Tirana dhe shumë zona të tjera të vendit, kanë "zbarkuar" për të festuar ditën më të rëndësishme të vitit në këtë qytet.

Edhe shumë njerëz nga vendet fqinje si Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, po ashtu kanë mbërritur në Elbasan, kurse nuk mungojnë as nga Greqia dhe Italia, kryesisht emigrantë shqiptarë që shfrytëzojnë rastin të çmallen me familjarët dhe miqtë e tyre.

Dje në mbrëmje në orën 22.00 në sheshin kryesor të qytetit u zhvillua një koncert me nismën bashkiake ku morën pjesë disa këngëtarë kryesisht vendas.

Nën furinë e fishekzjarrëve u mblodhën në shesh disa mijëra njerëz, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Dy orë më vonë, thuajse i gjithë sheshi ishte zbrazur, por këtu nisi dyndja drejt lokaleve që u mbushën ashtu si dhe rëndom vitet e tjera, plot e përplot.

Banorët pohojnë se shumë lokale abuzuan me çmimet duke vendosur tarifa të shtrenjta hyrjeje deri në 10 mijë lekë të rinj personi, nga mesnata dhe deri në orë e para të ditës së sotme.

"Festa nuk është zhdukur nga Elbasani, Dita e Verës është pikërisht festa tradicionale e qytetit tonë", deklaroi sot duke folur për mediat në Elbasan, kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini i cili po qëndron në rrugët e qytetit duke u takuar me qytetarët.

Ai tregon se prej tre ditësh kanë nisur të zhvillohen një seri aktivitetesh që një kulm të rëndësishëm e patën mbrëmjen e 13 marsit deri në minutat e para të ditës së sotme.

Momentalisht, karnavalet me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të sistemit publik dhe privat nëntëvjeçar, kanë bërë që rrugët kryesore të mbushen plot me soditës.

Një panair i përvitshëm është hapur edhe këtë radhë në Elbasan me pjesëmarrjen e disa kompanie kryesisht shqiptare dhe nga vende të tjera të rajonit.

a.k/NOA

KOMENTE