Tiranë, 14 Mars NOA - Dy djemtë të cilët kërkuan ndihmë nga autoritetet pasi ishin bllokuar nga dëbora dhe u rrezikohej jeta, janë gjetur dhe ata janë shëndoshë e mirë, konfirmuan burime zyrtare nga ministria jonë e Brendshme.
Dy të rinjtë u gjetën në malin Tanushë që gjendet në territorin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Autoritetet u vunë në lëvizje, menjëherë sa mësuan se të rinjtë Moisi Islami dhe Shaban Elezi, të cilët kaluan ilegalisht kufirin, u bllokuan nga moti i keq në fshatin Tanushë, në kufi me Maqedoninë.
Me urdhër të Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, mbrëmë ishte krijuar një grup emergjence i kryesuar nga Zëvendësministri Peka, drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli dhe drejtues të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, për t'u ardhur në ndihmë dy djemve shqiptarë që kërkuan ndihmë sepse ishin bllokuar nga bora në territorin maqedonas.
Për këtë ngjarje u kontaktua edhe ministria e Brendshme e Maqedonisë. Sakaq, edhe Ministria e Punëve të Jashtme u vu në kërkim të dy të rinjve të bllokuar në kufirin me Maqedoninë, përmes ambasadës sonë në këtë vend.
Sakaq bëhet e ditur se ambasadori Çeku ka kryer komunikim të herëpashershëm telefonik me dy të bllokuarit në dëborë dhe në orët në vazhdim pritet të takohet me ta.
e.r/NOA