Rethimno, Greqi 14 Mars NOA - Tre shqiptarë janë identifikuar si autorë të grabitjes së pes kishave në zonën e Rethimnos në Greqi, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Burimet policore lokale thanë sot se bëhet fjalë për tre djem nga Shqipëria, emigrantë me leje të rregullt qëndrimi, përkatësisht 24, 25 dhe 28 vjeçarë.
Vjedhjet e pesë kishave në Rethimno, janë kryer në dy javët e fundit, bëhet e ditur nga hetimi.
Policia ka arritur të ndalojë fillimisht një prej të dyshuarve, 24 vjeçarin dhe ishte ai që çoi agjentët në drejtim të dy dyshuarve të tjerë, me pasojë arrestimin pak orë më vonë, edhe të tyre.
Kishat e grabitura janë ajo e Panajasë në Mastamba, e Shën Fotinisë në Kumbe, e Timio Stavro, ajo e Paleoimerologion në rrugën "Markelu" të Korinthit dhe kisha e Shën Anargjiron në rrugën "Kumunduru" të të njëjtit qytet.
Tre hajdutët duket se janë treguar të pakujdesshëm sepse kanë lënë gjurmë që çuan në ndalimin e të parit i cili kishte të dhënat e tij në dosje policore të Rethimnos.
"ne gjetëm gjurmë gishtash gjatë këqyrjes së vendngjarjes në Timio Stavro, ndodhur ditën e shtunë dhe konstatuam se i përkisnin 24-vjeçarit të cilin e ndaluam. Ai pranoi këtë vjedhje dhe të katër të tjerave dhe më pas identifikuam dy personat e tjerë të përfshirë në serinë e vjedhjeve", deklaroi zyrtarisht policia e Rethimnos në një komunikatë për shtyp, citon korrespondenti i NOA.
Autorët kishin vjedhur disa objekte antike, përfshirë ikona dhe sende të arta, si dhe paratë që gjendeshin në arkat e kursimit të çdonjërës nga pesë kishat.
n.s/NOA