Tiranë, 14 mars, NOA - Shtatë zyrtarë janë gjobitur sot nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), për mos deklarim në kohë të pasurive dhe interesave private.
Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i ILDKP-së, Albi Seriani, i cili sqaron se zyrtarët kanë shkelur afatin për deklarimin e pasurive gjatë vitit 2009. Gjoba që u është vendosur shtatë zyrtarëve arrin në shifrën 20 mijë lekë të reja.
Zyrtarët e ndëshkuar janë; Ilda Bozo, drejtore në ministrinë e Ekonomisë, Dorjan Duçka, drejtor në ministrinë e Ekonomisë, Alma Qamo, këshilltare në Autoritetin Mbikëqyrës Financiar, Altin Kokalari, zëvendësdrejtor në institucionin e Ujësjellës-Kanalizimeve, Sokol Seseri dhe Përparim Jaku, ish përgjegjës sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Vasil Shandro, ish-regjistrues në Zyrën e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme në Lushnjë.
"Duke iu referuar parashikimeve ligjore, Inspektorati i Lartë ka vendosur masën administrative "gjobë" për 7 zyrtarë, nga të cilët 5 subjekte "para fillimit të detyrës" dhe 2 subjekte "pas largimit nga funksioni". Këta zyrtarë nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara shprehimisht në ligj; për subjektet e rinj, brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës publike dhe për subjektet që largohen, brenda 15 ditëve nga largimi prej funksionit zyrtar", thuhet në njoftimin e ILDKP-së.
m.xh/NOA