Romë - Itali, 14 Mars NOA - Katër emigrantë humbën jetën fatalisht në orët e para të ditës së sotme në Itali, pak pas një zjarri që shpërtheu papritur në një lokal nate, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin "Sabor Latino" në rrugën "San Giovanni", pranë kryeqytetit italian Romë.
Viktimat janë një djalë 25 vjeçar nga Peruja, një rumun, një vit më i vogël se viktima i parë si dhe dy djem nga Amerika e Jugut.
Hetimet nxorën se katër emigrantët gjetën vdekjen nga intoksikimi pak pasi flakët përfshinë impiantin e amplifikatorëve të muzikës së lokalit të natës ku porta e emergjencës sikundër tha policia ishte i mbyllur me çelës.
Gjuhët e para të zjarrit u panë në garazhin e lokalit, ku pak metra më tutje rreth 30 vetë po merrnin pjesë në një party.
Për vetë faktin se dalja e emergjencës ishte e mbyllur, njerëzit e vënë nën panik bënë përpjekje për të dalë të gjallë por katër emigrantët nuk ia dolën dot.
Ndërkaq, bëhet e ditur se dhjetë të tjerë janë helmuar gjithashtu nga gazrat e çliruara por gjenden nën kujdesin e mjekëve në spitalin shtetëror të Romës, jashtë rrezikut për jetën.
i.m/NOA