Beograd, 14 Mars NOA - Ministri serb për Administratën Publike dhe Vetë-Qeverisjen Vendore, Milan Markoviç, ka deklaruar se, për të gjithë rajonin është e rëndësishme që marrëdhëniet e Tiranës dhe Beogradit të ngrihen në nivel më të lartë, si dhe ka shprehur kënaqësinë me bisedimet që ka zhvilluar ai me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
''E kaluara në këto hapësira është shumë e vështirë për të gjithë njerëzit, pa patur parasysh në përkatësitë etnike. Qëndrimi ynë është të shikojmë drejt së ardhmes, si dhe nuk duhet të lejojmë që të rinjtë nga Presheva, Medvegja dhe nga Bujanovci, të jenë pengje të së kaluarës së trashëguar'', ka thënë Ministri Markoviç.
Ai, ka nënvizuar se, ''liderët politikë shqiptarë dhe serbë nga Jugu i Serbisë (Lugina e Preshevës), para së gjithash duhet të jenë partnerë të ndërsjellë në krijimin e një jetesë më të mirë për qytetarët që jetojnë në atë rajon''.
Meta, në Preshevë është pritur nga një orkestër me muzikë tradicionale shqiptare, ndërsa para Komunës së Bujanovcit, me rastin e pritjes së tij, ishte shtruar tapet i kuq.
Shefi i diplomacisë shqiptare, me vizitën në Luginë e Preshevës, ka përfunduar vizitën dy-ditore në Serbi, gjatë së cilës është takuar me zyrtarët më të lartë shtetërorë. Është nënvizuar se, kjo ka qenë vizita e parë e një Ministri të Jashtëm të Shqipërisë në Serbi.
Z. Markoviç tha se biseda që z. Meta ka zhvilluar me Presidentin Tadiç dhe Ministrin e Jashtëm Jeremiç është një garanci e mirë që ditë më të mira do të pasojnë.
"Ne po punojmë që të avancojë jeta e të gjithë njerëzve, veçanërisht për banorët e Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjes, në mënyre që këta fëmijë të kenë një të ardhme më të ndritur; por jo siç ka ndodhur në të kaluarën", - ka pohuar z.Markoviç
"Unë gjithmonë u kam thënë kolegëve të mi të luginës së Preshevës se ne nuk duhet të lejojmë që të rinjtë dhe fëmijët të mbahen peng nga e kaluara", - ka theksuar Markiviç.
Ai premtoi se "ne do punojmë për të ardhmen që ata të kenë një jetë më të mirë", duke shtuar: "Dhe siç biseduam me z. Meta gjatë 4 orëve rrugë nga Beogradi deri këtu, kemi prekur të gjitha temat që janë me interes dhe kemi renë dakord se do të angazhohemi që gjithçka të bëhet më mirë. Mendoj se kjo vizitë e z. Meta është një kontribut sidomos për marrëdhëniet më të mira të Shqipërisë dhe Serbisë".
a.b/NOA