English

Përgjigje Ismail Kadaresë

Çështja është që tek ne dalëngadalë ka filluar procesi i kthjellimit të historisë, i pastrimit të historiografisë shqiptare, e sidomos teksteve të shkollave, nga gjithë përrallat, legjendat e manipulimet që u lëshuan mbi të në më shumë se 100 vjet, e sidomos prej 1945-ës e këtej

Si lindi replika: E vërteta flet ndryshe nga Ismail Kadare

Nga Ardian Klosi Natyrisht që nuk mund t'i pranoj mesazhet që jepte dje në letrën e tij shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare. Të akuzosh Oliver Schmittin për racizëm të tërthortë ndaj shqiptarëve është si të përdorësh metodën e vjetër komuniste të difamimit të një autori pa u marrë konkretisht me veprën e tij. Unë kisha një cep të vogël në atë letër, si "përkthyes i zellshëm", por fyerjet do t'i durojmë. Oliver Schmitti ka vend të veçantë, me gjithë moshën e tij të re, në albanologjinë moderne. Ai, para se të shkruante "Skënderbeun", ka hartuar një tjetër vepër monumentale për mesjetën e vonë të Shqipërisë: "Arbëria venedike. 1392-1479", botuar në shqip më 2007. Për këtë vepër të pazakontë, vazhdim i denjë i punës së Jireçekut e Shuflajt për Arbërinë mesjetare, nuk shkroi asnjë nga historianët tanë të nderuar. Përse nuk shkruan? Mosnjohje, indiferencë, xhelozi? Nuk di të them, di vetëm të them, pasi e kam përkthyer me të njëjtën kënaqësi atë opus 700 e ca faqe sa edhe "Skënderbeun", se aty gjen po të njëjtat teza e pikëpamje për Skënderbeun dhe kryengritjen e tij, si dhe në veprën aq të debatuar e të përbaltur që doli një vit më pas. Më e keqja në gjithë fushatën kundër Schmittit, që e hapi më 11 nëntor 2008 (2 ditë pas prezantimit në Tiranë) pikërisht Kadareja - ai foli nga Gjirokastra dhe nuk u shpreh vetëm për çështjen e motivit të gjakmarrjes sikurse shkruante dje, por në tërësi, duke thënë se "sulmi ndaj mitologjisë së kombit është sulm ndaj lirisë" etj., - kanë folur kryesisht jo-historianë, ose kanë foluri historianë të shkollës së shkuar, të cilët kanë vite që e kanë mbyllur punën e tyre aktive me arkivat. Në këtë varg jo-historianësh që kanë ngritur zërin kundër Schmittit, ishin për fat të keq edhe Kryeministri dhe Presidenti i vendit, të dy me profesionin e mirëfilltë doktor, njerëzish ose jo. Që këtu kemi të bëjmë me një debat të shpifur, krejt të pabarabartë, propagandistik dhe deformues. Në njërën anë historianin që flet mbi dokumente, më anën tjetër gazetarë si Polovina, Marku, Ndreca e sa të duash, që flasin mbi fjalë dhe hedhin një tymnajë të pabesueshme. Kam heshtur gjithë këtë kohë, jo pse më vinte keq për Schmittin, sepse ai s'ka nevojë të mbrohet, ka veprën që e mbron, por pse më vinte keq për ata që e sulmonin, për diletantizmin e tyre, për imazhin që japim në qendrat e kulturës europiane me pamjen e fytyrës së fyer e të thartuar që tregojmë. Prandaj shkrova edhe para pak ditësh, duke dashur të jap një pasqyrim të vogël se si reflektohemi në një nga gazetat më prestigjioze të Europës sikurse është FAZ me këtë debatin tonë të shpifur. Shpresa tjetër ishte që disa historianë tanë të nderuar të heqin dorë nga botimet dhe konferencat pa fund për Skënderbeun, sepse po aty rrotullohen dhe po një bulmet nxjerrin, po me Schmittin do merren, përderisa nuk kanë gjetur asgjë të re, madje nuk kanë marrë as mundimin të verifikojnë ato që gjeti Schmitti në arkivat e Parisit, të Milanit, të Mantovës, të Hvarit, të Dubrovnikut, etj. Çështja nuk është thjesht te një dokument i zbuluar në arkivin Sforza dhe te gjakmarrja. Çështja është që tek ne dalëngadalë ka filluar procesi i kthjellimit të historisë, i pastrimit të historiografisë shqiptare, e sidomos teksteve të shkollave, nga gjithë përrallat, legjendat e manipulimet që u lëshuan mbi të në më shumë se 100 vjet, e sidomos prej 1945-ës e këtej. Në këtë përpjekje sa të ndershme aq dhe të domosdoshme, do të durojmë edhe sulme. Ama nuk do të heshtim.

Vizitat e zyrtarëve të shtetit zakonisht shoqërohen pa shumë bujë, sidomos kur ato janë Si Lexoni si lindi replika: E vërteta flet ndryshe nga Ismail Kadare

KOMENTE