English

Përplasje mes policisë bashkiake dhe asaj të Shtetit në Tiranë

Tiranë, 14 Mars NOA - Përplasje mes Policisë Bashkiake të Tiranës dhe Policisë së Shtetit ndodhi sot në kryeqytet duke përfunduar me "fitoren" e uniformave blu të cilat urdhëruan zhbllokimin e situatës së ardhur pas një proteste të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Lëvizjes "Zgjohu".

Gjithçka ka nisur në orën 10.00 të ditës së sotme në qendër të Tiranës tek ura e Lanës pranë bulevardit "Dëshmorët e Kombit".

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Lëvizja "Zgjohu" që drejtohen nga avokat Altin Goxhaj kishin paralajmëruar një ditë proteste sot, në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorëve dhe të drejtave të tyre.

Qëllimi i protestës siç u shpreh Goxhaj, ishte "shpallja e institucioneve dhe kompanive më problematike të vitit në vendin tonë". Mes tyre "denoncoheshin" Bashkia e Tiranës, OSSH (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes privatizua nga CHEZ e çekëve, ERE, deputetët e PS për mosbotimin e Gjykatës Administrative, Bashkia Durrës, AKEP, Kompanitë e Transportit Publik Tiranë, Ministria e Financave, etj.

Për këtë, dy organizatat sociale kishin vendosur disa tabela me parullat "Njollat e Turpit".

"Në orën 11.05, punonjësi i Policisë Bashkiake Broka dhe drejtori i Policisë Bashkiake Zyhdi Dajti, dëmtuan tabelat e protestës së planifikuar të zgjaste gjithë ditën në qendër të Tiranës dhe kërcënuan fizikisht drejtuesit e Lëvizjes "Zgjohu" dhe të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve", - bëri të ditur për mediat Altin Goxhaj.

"Këto veprime erdhën megjithëse protesta ishte me leje nga Policia e Tiranës" - vë në dukje Goxhaj.

Në këtë situatë kur punonjësit policorë bashkiakë kërkuan që të hiqen tabelat, për më tepër kur fare pranë tyre një "lumë" njerëzish po festonin Ditën e Verës me morinë e aktiviteteve të Bashkisë së Tiranës dhe koncerteve të kompanive private, ka ndërhyrë policia e Shtetit. Një numër forcash të policisë së Tiranës janë përballur me ato Bashkiake dhe i kanë përzënë nga zona që ishin vendosur tabelat e protestuesve duke mbyllur kështu këtë "kapitull".

"Ndërhyrja e paligjshme e Policisë Bashkiake u ndërpre nga ndërhyrja e ligjshme e Policisë së Tiranës që po kujdesej për mbarëvajtjen e aktivitetit", sqaron z.Goxhaj.

Duke komentuar këtë incident, Goxhaj tha se ZMK dhe Lëvizja "Zgjohu" do të bëjnë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj Policisë Bashkiake të kryeqytetit.

e.r/NOA

KOMENTE