Tiranë, 14 Mars NOA - Këshilltari i zëvendëskryeministrit Ilir Meta, Luan Rama, ka reaguar sot pas akuzave të deputetit të PS-së, Pandeli Majko, për dëmtimin që i ka bërë çështjes së Kosovës, vizita e Metës në Serbi.
Në një prononcim dhënë për televizionin "Klan", Rama u shpreh se një njeri që ka pagëzuar fëmijët në kishat greke dhe ka mbiemrin Majko, nuk mund të flas për patriotizëm.
"Shenja e parë e patriotizmit që duhet të shfaq zoti Majko është nisja e procedurave për të ndryshuar mbiemrin që shqiptarët të mos e thërrasin më Majko. Apo nisja e procedurave për të çregjistruar fëmijën që ka shuguruar apo pagëzuar në kishën e Athinës. Sepse kisha autoqefale e Shqipërisë është pjesë korpusit të vlerave historike, qytetare, patriotike dhe gjithashtu evropiane të shoqërisë shqiptare", u shpreh Rama.
Kritikave të bëra nga Majko, këshilltari i zëvendëskryeministrit ju përgjigj se vizita e Metës në Serbi nuk kishte asnjë mesazh negativ dhe aq më pak anti-patriotike.
"Lëreni zotin Majko të endet në tunelin e vet, sepse nuk mund të flas për patriotizëm në këtë kontekst dhe në këtë realitet të ri europianizues të krijuar në Ballkanin Perëndimor, një njeri që e thërrasin Majko, apo një njeri që kur ishte kryeministër mburrej që fëmijët i pagëzonte në kishat e Athinës", u shpreh Rama.
Ai ka shtuar se mediat nuk duhet të merren me referenca individësh që janë kapur nga paniku dhe nga xhelozia.
m.xh/NOA