English

Rama: Po të hapeshin kutitë, nuk do të kishte përmbytje

Sheqeras, (Korçë), 14 mars, NOA - "Edhe uji nga kutitë del". Kjo është deklarata që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë sot mes banorëve të fshatit Sheqeras në Korçë, të cilët janë përmbytur nga reshjet e ditëve të fundit.

Kryetari i PS-së, gjatë bashkëbisedimit me banorët është shprehur se nëse votat e 28 qershorit do të ishin numëruar siç duhet, atëherë banorët e zonave të përmbytura në Shkodër dhe në Sheqeras të Korçës do të ishin dëmshpërblyer nga shteti.

"Shtet quhet atehere kur me taksat që merr të shërbejë dhe të garantojë për të gjitha arsyet që t'i paguan taksat. Kur nga njëra anë të merr, nga ana tjetër prapë të merr, kjo nuk është më çështje shteti. Ka vetëm një rrugë miqtë e mi, hap kutitë ose largohu. Njerëzve ju duket se kur flasim ne për kutitë, flasim vetëm për një kuti. Po të kishin dalë votat siç votoi populli, s'do të kishte përmbytje sot. Edhe uji nga kutitë del", ka thënë kreu i PS-së, Edi Rama.

Në Sheqeras, Rama është shoqëruar nga deputetët e qarkut të Korçës dhe pasi ka dëgjuar shqetësimet e banorëve të fshatit, është shprehur se ky nuk është vetëm problem i fshatit Sheqeras, por edhe shumë fshatrave të tjerë.

"Mos kujtoni se atyre në Shkodër ju kanë dhënë ndonjë gjë. Llafe ju kanë dhënë dhe premtime pas premtimesh, por asgjë nuk u kanë dhënë as atyre. Kështu që mos mendoni që ata kanë marrë dhe ju s'po merrni. Askush nuk ka marrë veç premtimeve, gënjeshtrave dhe të gënjejmë sa më shumë nesër që të kalojmë gënjeshtrën që bëjmë sot. Ndërkohë që kjo situatë është akumuluar dhe është një situatë dramatike më shumë se çdo herë tjetër, për shkak se është mbytur shteti dhe jo toka", ka thënë kreu i PS-së.

m.xh/NOA

KOMENTE