Tiranë, 14 Mars NOA - Kampioni botëror Michael Schumacher (Majkëll Shumaker), nis sot garën e tij të parë në Formula 1 pas më shumë se tre vjet ndërprerjeje.
Kampioni me numër titujsh rekord garon për ekipin e sapoformuar Mercedes Grand Prix.
Piloti rekordmen zuri vendin e shtatë në garat për Çmimin e Madh në Bahrein me Mercedesin, duke filluar në këtë mënyrë nga grupi i katërt garën startuese të sezonit të Formula 1.
Ndërkaq, gjermani Sebastian Vettel në skuadren Red Bull do të niset në këtë garë në pozicionin e parë pasi shënoi kohën më të shpejtë në prova. Pas tij do të jenë braziliani Felipe Massa dhe Fernado Alonso, pilotë të skuadrës Ferrari.
Me fillimin e sezonit të ri të Formulës 1 ku merr pjesë sërish Michael Schumacher, specialistët shprehen se Mercedesi mund të humbasë tri-katër garat e para dhe se jo gjithçka duhet të funksionojë që në sezonin e parë.
Por si përfundim Michael Schumacher duhet të garojë për fitore, thotë kryetari i bordit drejtues të Daimlerit, Dieter Zetsche duke pranuar se ka pritje të mëdha:
"Ne kemi një synim tejet të thjeshtë, duam të bëhemi kampionë bote. Ne duam t'i paraqesim botës pilotët më të mirë në makinën më të mirë".