Tiranë, 14 Mars NOA - "Siguria ushqimore në Shqipëri një hap më afër standardeve të BE-së", ishte veprimtaria e organizuar në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ambasadores së Zvicrës dhe Zv. Ministrit të Bujqësisë. Një veprimtari ku u vu në dukje se siguria ushqimore sot ka ecur më përpara falë Albinspektit, trupës së parë së akredituar ndërkombëtarisht që ka të drejtën e inspektimit sipas standardeve të BE dhe çertifikimit e produkteve organike destinuar për tregun evropian.
Siguria e produkteve organike shqiptare vlerësohet si një kontribut i madh për përmirësimin e imazhit të vendit në botë dhe rritjen e eksporteve.
Mbrojtja e prodhuesit dhe garancia që kërkon konsumatori kanë qenë gjithnjë problematike gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Deri më sot, çertifikimi i produkteve ushqimore është bërë nga kompani të huaja, gjë që nuk ka inkurajuar zhvillimin e një tregu të brendshëm të çertifikimit ushqimor.
Drejtori ekzekutiv i Albinspekt z. Sokol Stafa tha se Albinspekt është trupa e parë dhe vetme shqiptare qe ka arritur te fitojë akreditimin ndërkombëtar sipas Normës Europiane EN 45011, nga institucioni prestigjioz gjerman DGA (Drejtoria Gjermane e Akreditimit). Kjo bën qe certifikimi te jete nje mundesi reale per prodhimet vendase. Ata janë mbështetur prej fillimit të aktivitetit nga SECO (Sekretariati i Shtetit për Çështje Ekonomike) dhe SDC (Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim).Njohja ndërkombëtare e trupës Shqiptare Albinspekt është parë nga shumë specialistë si një hap më afër standardeve të sigurisë dhe cilësisë ushqimore të BE-së. Duke qenë se një dimension i ri i infrastrukturës kontrolluese në vend po zhvillohet, kjo bën që Çertifikimi të jetë tashme një mundësi reale në shtimin e vlerës së produkteve ushqimore shqiptare. Duhet theksuar se Albinspekt është e vetmja trupë shqiptare që ka të drejtën e çertifikimit në Shqipëri dhe e vetmja trupë që operon në Kosovë.
Gjatë prezantimit të aktiviteteve të Albinspekt dhe pritjes që u dha me rastin e akreditimit të një trupe shqiptare, Ambasadorja e Zvicres znj. Yvana Enzler tha: "Bizneset shqiptare në sektorin e bujqësisë tashmë po lidhen më mirë me tregtarët potencialë. Ata gjithashtu po fitojnë një njohuri më të madhe rreth pritshmërisë dhe shijeve se konsumatorëve të huaj si dhe të trendeve të tregut. Kjo i mundëson ata të përmirësojnë cilësinë e prodhimeve të tyre dhe të adaptojnë ofertën e tyre ndaj kërkesave të klientelës. Në këtë mënyrë, ata po shtrojnë themelet për një rritje të eksporteve. Prodhimet organike shqiptare që janë çertifikuar prej Albinspekt, mund të gjenden tashmë në tregun e vendit tim. Kjo është një mundësi e mirë për të përmirësuar imazhin e vendit si në vend prodhues i produkteve të cilësisë së lartë."Kurse Drejtori ekzekutiv i Albinspekt z. Sokol Stafa tha: "Duke patur parasysh zhvillimet e rëndësishme në rrugëtimin integrues të Shqipërisë drejt BE-së, ky akreditim dhe njohja ndërkombëtare që i behet trupës Shqiptare, është një moment shumë pozitiv që kontribuon ne zhvillimin dhe forcimit e infrastrukturës kontrolluese në Shqipëri, duke e ngritur atë në nivelet dhe standarde të BE-së.
Ngritja e infrastrukturës kontrolluese ne parametra cilesor ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurine ushqimore te prodhimeve te freskëta dhe përpunuara Shqiptare".
Zv. Ministri i MBUMK z.Ndoc Faslia theksoi rolin e Ministrisë per te mbështetur produktet e certifikuara dhe specifikisht prodhimet e certifikuara organike.
Ne fjalën e tij ai tha se "Qeveria shqiptare gjate këtyre viteve i ka dhënë një vëmendje te veçantë bujqësisë organike. Qeveria ka filluar te subvencionojë fermerët nga shuma simbolike deri ne shumën prej 500 euro për vitin 2010, per fermat te certifikuara te prodhimit organik."
e.r/NOA