English

Alibali: Qeveria, grup pune për minatorët

Tiranë, 15 mars, NOA - Qeveria ka ngritur një grup pune me qëllimin e studimit të mundësive për realizimin konkret të statusit të Minatorit, në përputhje me urdhrin e dhënë nga kryeministri Berisha zgjidhjen sa më parë të kësaj çështje.

Lajmi u konfirmua sot nga zv/ministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, sipas të cilit ka nisur puna konkrete me legjislacionin për çështjen e Statusit të Minatorit, një ligj ky tepër i rëndësishëm për vendin tonë.

"Prandaj kërkojmë bashkëpunimin e grupeve të interesit, në mënyrë që të arrihet në kompromis dhe që statusi i Minatorit të jetë një ligj në përputhje me ligjet e vendit tonë, Kushtetutën, por edhe me standardet e Bashkimit Europian", konfirmoi zv/ministri.

Më tej, ai shtoi se me të mbaruar punë, ky grup do të nisë takimet edhe me sindikatat, në mënyrë që ligji të plotësojë problematikat.

Madje, ai shtoi se grupi i punës është i hapur edhe për partitë, opozitare ose jo, që të bëjnë oponencën e tyre.

"Megjithatë, nuk mund të kemi një ligj për statusin e Minatorit, i cili të kapërcejë ligjet shqiptare dhe standardet e Bashkimit Europian", përfundoi Alibali.

n.e/NOA

KOMENTE