Intervistë e Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri Florian Raunig. Flet për marrëdhëniet midis Austrisë dhe Shqipërisë duke theksuar se nuk ka asnjë çështje të hapur. Ndalet në zhvillimet e fundit politike në vendin tonë dhe
Genc Mlloja*
Z. Ambasador, cilat mund të jenë disa nga momentet më të spikatura të misionit tuaj në Shqipëri? Dhe do të dëshiroja të shtoja faktin se Ju jeni ndërmjet pak ambasadorëve të një vendi të akredituar në Tiranë që flisnin rrjedhshëm shqip.
Unë jam këtu që nga fillimi i tetorit të vitit 2009; jam akoma në fazën e njohjes me gjendjen, duke njohur aktorët, njerëz të ndryshëm, qeverinë, opozitën, kolegët diplomatë, ambasadën time. Kështu që jam akoma në fazën e prezantimit me postin tim të ri.
Do të dëshiroja të vija në dukje vizitën e Ministrit të Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger në Shqipëri në fillim të tetorit të vitit 2009, e cila ishte një vizitë e suksesshme. Ajo vizitë ishte e rëndësishme për marrëdhëniet tona të dyanshme. Ministri i Jashtëm austriak bëri një vizitë pas krijimit të qeverisë së re.
Në përgjithësi, marrëdhëniet midis Austrisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe nuk ka asnjë çështje të hapur.
Jo vetëm në politikë por në shumë fusha ne kemi marrëdhënie shumë miqësore. Austria është e pranishme dukshëm në Shqipëri. Ne jemi të pranishëm në fushën e investimeve të drejtpërdrejta, ne jemi të pranishëm në fushën e bashkëpunimit tregtar, në fushën e zhvillimit dhe gjithashtu kemi shkëmbime kulturore.
Prandaj, është një privilegj të jesh Ambasadori i Austrisë në Shqipëri për shkak të këtyre marrëdhënieve të mira dhe për më tepër sepse shqiptarët i tregojnë hapur dashamirësinë dhe miqësinë e tyre ndaj Austrisë.
Ka një zhvillim të ri në skenën politike të Shqipërisë, çka lidhet me praninë e opozitës në parlament pas një bojkoti prej gjashtë muajsh. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky veprim i Partisë Socialiste dhe i kryetarit të saj Edi Rama, veprim që është inkurajuar shumë nga ndërkombëtarët për tu ndërmarrë?
Unë mendoj se ka qenë një hap shumë i rëndësishëm i opozitës për të hyrë në parlament sepse ky është gjithashtu një hap drejt dialogut, një hap drejt normalizimit të jetës politike në vend. Shqipëria ka kërkuar të bëhet vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky është një përparim tepër i madh për këtë vend. Politika shqiptare duhet të ndjekë të njëjtën rrugë dhe të tregojë pjekurinë e saj për të qenë e gatshme për këtë ndërmarrje të gjatë dhe të vështirë. Ne presim rrugëtim të suksesshëm drejt integrimit evropian më në fund.
Por politika dhe kultura politike duhet të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Pjekuria do të thotë se duhet të ketë një kompromis bazë midis të gjithë partive politike dhe se ato nuk duhet të ndërmarrin ndonjë veprim që mund të pengojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Ka një numër projektesh në vazhdim të financuara nga Austria. A do të kishit mirësinë të na jepni një pasqyrë të plotë të asaj çfarë po ngjet në fushën e bashkëpunimit të dyanshëm në ekonomi, financa dhe sociale dhe fusha të tjera dhe perspektivat? Para pak ditësh u bë prezantimi i punimeve për hidrocentralin e Ashtës. Mund të fillojmë me këtë meqenëse është aktual. Për më tepër u tha se projekti në fjalë do të përfundojë brenda 18 muajsh dhe kjo tingëllon diçka tepër e rëndësishme.
Në përgjithësi duhen ndarë projektet të cilat financohen nga Republika e Austrisë dhe projektet e biznesit austriak.
Tani ka një prani të fuqishme austriake në ekonominë shqiptare. Ajo ka filluar me hyrjen e Raiffeisen në vend çka, mendoj unë, ishte një hap shumë i rëndësishëm që tregoi gjithashtu besimin dhe besueshmërinë që bizneset austriake kishin për vendin.
Kjo nuk i përket rëndësisë së vetë bankës por gjithashtu shumë investimeve potenciale të njerëzve të biznesit. Hyrja e Bankës Raiffeisen pikësëpari do të thotë se ajo i beson vendit dhe së dyti se kompanitë kanë një bankë të fuqishme dhe të rëndësishme me të cilën mund të bëjnë biznes. Unë mendoj se hyrja e Raiffeisen ka qenë një hap i madh përpara dhe rriti ndjeshëm investimet e drejtpërdrejta të huaja në Shqipëri.
Për momentin ka dy projekte hidrocentralesh në ndërtimin dhe financimin e të cilëve janë përfshirë bizneset austriake. I pari është në Hidrocentralin e Devollit i cili është një projekt i zbatuar gjysma nga Austria dhe gjysma nga Norvegjia- EVN është pjesa austriake dhe Statkraft ajo Norvegjeze. I dyti është Hidrocentali i Ashtës që po zbatohet nga Verbund dhe EVN si një partnere.
Është parashikuar që ky projekt të përfundojë shumë shpejt dhe ai do të ketë një efekt pozitiv në prodhimin e energjisë së vendit. Ai do ta bëjë jetën e përditshme të shqiptarëve më të lehtë dhe do të përmirësojë gjendjen energjetike të vendit në përgjithësi.
Projekti i Ashtës ka një afat ambicioz sepse është planifikuar të jetë gati brenda 2012. Unë mendoj se detyra mund të realizohet por kjo do të varet në vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që Austria dhe Shqipëria kanë deri tani për zbatimin e këtij projekti. Nëse bashkëpunimi vazhdon sikurse deri tani, unë kam besim të plotë se afati do të përmbushet.
Projektet e Ashtës dhe të Devollit janë shumë të rëndësishme në një kohë të një krize ekonomike kur burimet financiare janë të pakta në tregun ndërkombëtar.
Kjo ndërmarrje do të ketë një efekt shumë pozitiv ekonomik mbi vendin në një kohë të tillë të vështirë. Dhe së dyti, ajo është një shenjë e rëndësishme për Shqipërinë, domethënë se ekziston besimi tek vendi.
Gjithashtu ju keni disa projekte të tjera në Shkodër dhe rajone të tjera të Shqipërisë…
Po. Ata janë projekte të përfshira në zhvillimin e bashkëpunimit të dyanshëm. Një ndër projektet më të rëndësishme është sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm në Shkodër, një projekt për të cilin Austria dhe Shqipëria po punojnë së bashku që nga 1994. Tani i janë bashkuar projektit edhe Gjermania dhe Zvicra, projekt që përfshin gjithashtu edhe rehabilitimin e sistemit të ujërave të zeza të Shkodrës. Ky është një ndër projektet shembull sepse filloi në 1994 dhe u zbatua në një kohë jashtëzakonisht të vështirë dhe arriti të sigurojë ujë pa ndalim 24 orë në Shkodër pavarësisht kushteve sfiduese që iu nënshtrua.
Për më tepër specialistët austriakë dhe shqiptarë që u përfshinë në projekt njohën njëri-tjetrin më nga afër kështu që ata mundën të njihen gjithashtu me kulturën dhe zakonet e njëri- tjetrit.
Për më tepër Austria është shumë e pranishme në arsimin profesional. Ne kemi qenë shumë aktivë që nga fillimi i viteve '90 në Shqipëri, veçanërisht në shkollat e turizmit dhe hoteleri-biznes, por gjithashtu në shkolla ekonomike.
Gjithashtu kemi një program shumë afatgjatë në fushën e arsimit të lartë. Për shembull, ka një partneritet midis Universitetit të Shkodrës dhe atij të Gracit.
Përveç kësaj, është bërë një investim shumë i veçantë në arsim, që është Shkolla Austriake në Shkodër. Kjo është një shkollë e mesme e krijuar nga Austria dhe Shqipëria ku jepet mësim gjysma në gjuhën gjermane dhe gjysma në shqip. Ne kemi rreth 12 mësues nga Austria që qëndrojnë vazhdimisht në Shkodër.
Ka pak shkolla austriake në botë si në Stamboll, Budapest, Pragë, Guatemalë dhe tani edhe në Shkodër. Prandaj hapja e kësaj shkolle mund të shihet si një tregues i fortë i miqësisë austriake ndaj Shqipërisë. Kjo tregon në të njëjtën kohë edhe angazhimin e fortë të Austrisë ndaj vendit tuaj.
Në të njëjtën kohë, ne kemi qenë shumë aktivë në fushën e pushtetit lokal dhe zhvillimit rajonal. Ne do të fillojmë shumë shpejt së bashku me Zvicrën një projekt tjetër të zhvillimit rajonal për zonat veriore të Shkodrës dhe zonat malore në veri të Shqipërisë.
Ne e kemi përqendruar bashkëpunimin për zhvillim më tepër në Shqipërinë Veriore sepse kur erdhëm në Shqipëri në fillim të viteve 90 ne shkuam në zonat më të varfra të vendit, domethënë në pjesët ku kushtet ed jetesës ishin më të vështirat.
Por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi aktivë në jug. Ndër të tjera ne kemi mbështetur shkollën ekonomike në Sarandë dhe shkolla të tjera në Vlorë dhe Gjirokastër. Ne jemi të pranishëm në pothuajse të gjithë vendin por akoma me një përqendrim në pjesën veriore.
Keni qenë në Shqipëri para misionit tuaj të tanishëm. Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë e sotme?
U largova nga Shqipëria rreth 9 vjet më parë, dhe tani kur u ktheva vendi ka ndryshuar shumë. Veçanërisht Tirana ka pësuar një ndryshim të jashtëzakonshëm dhe sipas mendimit tim është një ndryshim krejt për mirë. Ky është një hap shumë i madh i bërë nga Shqipëria dhe kjo mund të duket në jetën e përditshme, ndërsa vihet re prania e huaj ekonomike në vend.
Sikurse e thashë edhe më sipër, prania ekonomike austriake është rritur gjatë këtyre nëntë viteve në një mënyrë shumë të konsiderueshme. Përndryshe nuk ka ndonjë ndryshim sa u përket miqësisë dhe sa mirë miqtë trajtohen në Shqipëri.
Dashamirësia e njerëzve ka mbetur e njëjta - dhe unë jam i lumtur që kam mundur të takoj të gjithë miqtë e mi të kohëve të mëparshme.
Gjithashtu ka ndryshme të mëdha të nivelit të integrimit të vendit. Shqipëria ka filluar t'i përgjigjet pyetësorit të BE-së në bazën e të cilit Komisioni Evropian do të jap rekomandimet nëse BE duhet të hap bisedimet e anëtarësimit.
Nëntë ose dhjetë vite më parë nuk bëhej fjalë për të qenit vend kandidat për në BE sikurse po ngjet tani. Kështu që vendi, përfundimisht, ka ecur përpara.
Si po e shikojnë vendi dhe populli juaj hapin e pritshëm të liberalizimit të vizave për shqiptarët në hapësirën Shengen sikurse ngjau me vendet e tjera të Ballkanit? Është një fakt i njohur mirë se ka shumë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët e kanë bërë Austrinë vendin e tyre të jetesës duke nisr fill pas rënies së komunizmit në fillim të viteve '90 dhe madje para asaj kohe.
Liberalizmi i vizave është për shqiptarët, sikurse e kuptojmë ne, një çështje kruciale. Dhe Austria është gjithashtu e angazhuar ndaj liberalizimit të vizave. Ne po e konsiderojmë atë si një pikë shumë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por gjithashtu për BE-në. Por ka një udhërrëfyes të qartë dhe kushtet e tij duhen plotësuar. Nëse Shqipëria i mbush kushtet - dhe unë kam besim se do t'i përmbushë - atëherë shtetet e Shengenit do të jenë të lumtur të liberalizojnë regjimin e vizave.
Sa i përket emigrimit drejt Austrisë gjatë 20 viteve të fundit, shqiptarët në përgjithësi janë integruar shumë mirë në shoqërinë austriake. Madje shumë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë austriake. Ata japin në mënyrë të dukshme pjesën e tyre të kontributit për zhvillimin e mëtejshëm të Austrisë. Gjithashtu, unë mendoj se Vjena dhe Graci shërbejnë tradicionalisht si një lloj ure drejt Evropës Juglindore. Të parë nga ana tjetër, ata janë pikat hyrëse për në Bashkimin Evropian për shumë njerëz që vijnë nga Ballkani.
A mund të bëni një koment mbi zhvillimet e fundit në Ballkan, përpjekjet që po bëhen për të forcuar dialogun midis Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të së cilës është vizita e z. Ilir Meta në Beograd?
Në përgjithësi, vendet ballkanike kanë një synim të përbashkët, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Prandaj, ata duhet të punojnë shumë ngushtë së bashku dhe jo vetëm të mbështeten në marrëdhëniet e tyre individuale më BE-në.
Pak a shumë ata kanë një të shkuar të përbashkët ose të njëjtë dhe kanë shumë gjëra, zakone dhe tipare kulturorë të përbashkëta. Kështu që unë mendoj se është e natyrshme që këto vende duhet të punojnë së bashku shumë ngushtë.
(*) Intervistuar nga autori, kryeredaktor, "Albania Daily News"