English

"Bashkimi për Mesdheun" - Alternativat dhe mundësitë e Shqipërisë

Mbahet Forumi i Politikave të Integrimit Europian: Ministri i Jashtëm përmendi dy dimensionet e procesit të Bashkimit për Mesdheun: dimensioni parlamentar përmes Asamblesë dhe dimensioni kulturor që përfaqësohet përmes rrjetit të organizatave Anna Lindit e cila përbehet nga 900 organizata të vendeve të Mesdheut

Tiranë, 15 Mars NOA - Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën Spanjolle në Shqipëri organizuan sot forumin e politikave të Integrimit Europian. Ky forum u përqendrua në Bashkimin për Mesdheun dhe alternativat por edhe mundësitë që parashtron ky bashkim për Shqipërinë, si një anëtare më të drejta të plota.

Takimi u moderua nga Virgjil Muçi, Koordinator Kombëtar i Bashkimit për Mesdheun, në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai theksoi se takimi i sotëm ishte dëshmi e vëmendjes që shoqëria civile dhe aktorë të tjera po tregojnë ndaj Bashkimit për Mesdheun. Takimi u përshëndet më fjalën hyrëse të z. Ilir Meta, Zëvendësministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Ai përshëndeti organizimin e këtij forumi 3 palësh dhe theksoi rëndësinë e Bashkimit për Mesdheun si vazhdim i Procesit të Barcelonës.

Bashkimi për Mesdheun ngrihet mbi tregun e përbashkët dhe vlerat e tolerancës, qytetërimit dhe dialogut ndaj në ketë kontekst Shqipëria duhet ti kushtojë vëmendje të veçantë dialogut rajonal.

Ajo është një përgjigje nga problemeve të përbashkëta me të cilën ballafaqohen vendet e rajonit duke patur një impakt strategjik për secilën prej tyre.

Gjatë fjalës së tij Ministri i Jashtëm përmendi dy dimensionet e procesit të Bashkimit për Mesdheun: dimensioni parlamentar përmes Asamblesë dhe dimensioni kulturor që përfaqësohet përmes rrjetit të organizatave Anna Lindit e cila përbehet nga 900 organizata të vendeve të Mesdheut.

Z. Meta nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin për Mesdheun është pjesë e Integrimit Europian duke i dhënë një profil të ri dhe më pragmatik këtij procesi. "Qeveria është e vendosur ta avancojë këtë proces i cili i jep një dimension të ri diplomacisë shqiptare" -theksoi Ministri i Punëve të Jashtme.

Kurse Ambasadori i Spanjës Z. Manuel Montobbio e strukturoi fjalimin e tij duke u mbështetur në 3 akse kryesore që lidhen me kuptimin e përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun, sfidat dhe mundësitë që ky bashkim ofron për vendet anëtare të saj duke theksuar pozicionin e Shqipërisë si një anëtare me të drejta të plota. Ambasadori u ndal në mënyrë të veçantë në përshkrimin e Bashkimit për Mesdheun si një hapësirë e përbashkët që ngrihet mbi vlerat e paqes, prosperitetit (ekonomik dhe social) dhe dialogut.

Sipas tij Mesdheu është kufi strategjik për Bashkimin Europian ndaj Shqipëria në perspektivën e saj Europianizuese duhet të kujdeset për stabilitetin rajonal. Në fjalën e tij, ambasadori Montobbio duke përmendur rëndësinë që ka rajoni i Mesdheut u shpreh se sfida e Shqipërisë janë pikërisht marrëdhëniet me partnerët dhe kujdesi që duhet të tregojë për stabilitetin rajonal.

Gjatë takimit Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri (EMA) prezantoi punimin "Presidenca Spanjolle e Bashkimit Europain: Ndërmjet realitetit dhe shpresës". Ky punim ofron një përshkrim të Presidencës Spanjolle të BE-së duke u fokusuar kryesisht në karakterin transitor si pasojë e hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe institucioneve të reja që ai legjitimon.

Z. Gjipali përmendi rëndësinë që kjo presidencë mbart në planin ekonomik dhe social përmes shtyrjes përpara të hartimit të strategjisë "Europa 2020". Pjesë e rëndësishme e prioriteteve të Presidencës Spanjolle është edhe hartimi i politikave të përbashkëta në fushën e migracionit dhe azilit duke ofruar një qasje globale ndaj këtyre fenomeneve.

Një fokus të veçantë në këtë punim i është kushtuar edhe Ballkanit Perëndimor duke pasqyruar stadin e zhvillimeve të fundit për secilën nga vendet përkatëse.

Dorëzimi i pyetësorit të BE-së, procesi i Liberalizimit të Vizave si dhe Këshilli dhe Komiteti i Stabilizim Asociimit ishin disa nga çështjet më të rëndësishme që u trajtuan.

Perceptimi i shoqërisë civile si një aktor i rëndësishëm në kuadër të avancimit të këtij procesi ishte tema e ligjëratës së Z. Remzi Lani, Drejtor Ekzekutiv, Instituti Shqiptar i Medias.

Z. Lani përmendi se është detyrë e aktorëve të shoqërisë civile që të kontribuojë në kuptimin e plotë të procesit të Bashkimit për Mesdheun. Aktorët e shoqërisë civile duhet të marrin pjesë në monitorimin e procesit si dhe duhet të angazhohen duke lobuar për integrimin e vendit ne strukturat Europiane. Ne këtë mënyrë shoqëria civile do të marrë një peshë specifike në procesin e integrimit europian të vendit.

Takimi u mbyll nga një seksion diskutimi ku përfaqësues të trupit diplomatik, qeverisë shqiptare, gazetarë dhe akademikë, shkëmbyen mendime dhe perceptime mbi ketë proces në të cilën Shqipëria është pjesë.

e.r/NOA

KOMENTE