Tiranë, 15 mars, NOA - Qeveria shqiptare ka përcaktuar si përparësi të saj faktin se nuk do të prekë investimet në infrastrukturë, ato në moshën dixhitale dhe tek burimet njerëzore, ndërsa rrogat dhe pensionet do të rriten siç kanë qenë të parashikuara.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni vetë kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së radhës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
"Kam kënaqësi t'ju bëj me dije se në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të jetë dhe promotori kryesor apo institucioni kryesor përgjegjës për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve rurale të vendit, janë disponibël 400 milionë dollarë ndërsa shuma të tjera janë në proces e sipër", bëri ai me dije.
Më tej, theksoi se "rrugët dhe uji i pijshëm janë dy përparësitë infrastrukturore më madhore të vendit dhe se qeveria është njëlloj e vendosur, si në ndërtimin e akseve të mëdha".
"Shumë shpejt do të jemi në Berat, t'ju paraqesim qytetarëve të Beratit projektin për Boshtin e Jugut, një projekt tashmë i përfunduar, projekt që shkurton vetëm në 42 kilometra distancën Memaliaj - Berat, pra në më pak se gjysmë ore dhe që është i përllogaritur me kosto dhe me të gjitha shpenzimet; në Elbasan paraqitëm projektin e autostradës Tiranë - Elbasan, apo segmenti i parë i Boshtit të Jugut; po përfundon projekti, duhet të kishte përfunduar, por kanë dalë disa probleme, projekti i rrugës së Arbrit, Ura e vashës Tiranë", tha Berisha në fjalën e tij.
Në fund, ka shtuar se "koha dhe kursimi i kohës së qytetarëve shqiptarë dhe cilësia e rrugëve, duhet të jenë objektivat tona më madhore".
Duke mos harruar të shtojë se "këto ditë qeveria merr dhe vendimin për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha zonave të përmbytura, ku ai do të jetë i plotë, shtëpi për shtëpi".
n.e/NOA