Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 15 mars, NOA - Licenca e katërt celulare, e cila u mor nga një grup biznesmenësh shqiptarë, do të dalë në treg në muajin qershor të këtij viti.
Lajmin e ka bërë publik drejtori i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, Pirro Xhixho, gjatë raportimit në komisionin e Veprimtarive Prodhuese për vitin 2009, ku ai u shpreh së dalja në treg e celularit të 4-t do të rrisë edhe më tej konkurrencën në tregun e telefonisë celulare.
Por ky projekt do të pasohet më tej edhe me nismën që konsumatori të mbajë të njëjtin numër duke ndryshuar kompaninë, çka do t'i sjellë tregut tarifa edhe më konkurruese. Sipas Xhixhos, nga ulja e tarifave celulare përgjatë vitit 2009, konsumatori shqiptar ka arritur të përfitojë shumën prej 35 milion euro.
Ndërkaq, një nga objektivat e këtij institucioni është që të shtrijë internetin në çdo cep të vendit, objektiv ky edhe i programit të qeverisë.
Telekomunikacioni është një sektor i cili ka shënuar një rritje të vazhdueshme në vitet e fundit duke kontribuar deri në 5.76 % të PBB-së.
r.l/n.e/NOA