Shkup, 15 Mars NOA - Dy djemtë shqiptarë, të shpëtuar në Korab, janë shtruar në spitalin e Dibrës për kujdes mjekësor. Emigrantët e paligjshëm, u shpëtuan nga policia maqedonase pasi ishin bllokuar nga bora e madhe në malin Korab.
Policia e Maqedonisë tha se kishte përdorur helikopterin për të shpëtuar Moisi Islamin dhe Shaban Elezin, të cilët e kishin kaluar kufirin të shtunën dhe kishin mbetur në borë.
Sipas policisë kufitare të Maqedonisë, ata i kishin thirrur familjet e tyre me telefona mobilë për të kërkuar ndihmë. Rrjedhimisht, policia e Shqipërisë e kishte njoftuar policinë e Maqedonisë.
Dy djemtë ishin gjetur të dielën dhe janë dërguar në spital në qytetin e Dibrës menjëherë pasi u gjetën. Për lokalizimin e tyre, ndihmuan dhe autoritetet shqiptare.
z.r/NOA