Tiranë, 15 mars, NOA / Rajmonda Lajthia - Një formular tip do të shërbejë që të paraqisni ankesën tuaj ndaj administratës publike, por edhe ndaj shërbimit që ju ka ofruar një kompani private.
Nisma është e Ministrisë së Ekonomisë, e cila kërkon t'i vijë në ndihmë konsumatorit, me qëllim për ta mbrojtur atë dhe formulari do të jetë online në internet, në faqen e Ministrisë së Tregtisë, lajm ky i bërë publik nga ministri Dritan Prifti.
Formulari do të përmbajë pyetje të ndryshme për të evidentuar problematikën dhe më pas ankesat e tyre parashikohet të marrin zgjidhje.
Sipas Priftit, nuk ka kulturë ankimimi mes administratës dhe konsumatorit.
"Që nga koha që unë jam emëruar ministër e deri tani, kam krijuar një hapësirë të nevojshme në internet, pyetje për ministrin. Por gjatë gjithë kësaj kohe, dy ankesa në muaj më vijnë", - thotë Prifti.
Por efektiviteti i nismës së formularit mbetet për t'u parë, pasi konsumatorët nuk shfaqin besim në zgjidhjen e problemeve.
Administrata publike numëron gjithsej 40 inspektoriate, të cilat merren me mbikqyrjen e tregut, por puna e tyre nuk është efiçente.
Prifti ka paralajmëruar reformë të thellë në këtë drejtim duke reduktuar deri në 15 numrin e këtyre inspektoriateve.
r.l/n.e/NOA