Prishtinë, 15 mars, NOA - Më në fund, Kosova dhe Maqedonia edhe zyrtarisht kanë ngritur marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadash, duke shënuar hapjen e ambasadës maqedonase në Prishtinë.
"Si dy vende fqinje, Kosova dhe Maqedonia kanë dhe do të kenë marrëdhënie dhe bashkëpunim ndërshtetëror", tha lidhur me një rast të tillë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, i cili ka marrë pjesë në inaugurimin e kësaj ambasade.
Sipas tij, Kosova tashmë paraqet një shtet të rëndësishëm të rajonit dhe se së bashku me Maqedoninë, janë të përcaktuara për paqe në rajon, për miqësi dhe për bashkëpunim ekonomik.
"Hapja e ambasadës për ne është akt solemn dhe një plus i ri në marrëdhëniet tona ndërshtetërore", është shprehur Miloshoski më tej.
Pozicioni i Maqedonisë, sipas diplomatit Miloshoski, mbështetet edhe në respektimin e kufijve dhe tërësisë territoriale të Kosovës. n.e/NOA