Gërdec, 15 mars, NOA - Sot mbushen 2 vjet nga tragjedia e shpërthimit të një depo demontimi armësh në fshatin Gërdec, në të cilën vdiqën 26 persona dhe u lënduan gati 300 të tjerë.
Bëhet me dijeni se në kuadrin e kësaj dite, opozita ka parashikuar homazhe dhe çaste përkujtimore për të nderuar viktimat, e në këtë mënyrë të realizojë një formë proteste, siç ka bërë gjatë këtyre dy viteve gjithmonë për ngjarjen e rëndë në fjalë.
Kujtojmë se këtu një vit më parë, Partia Socialiste protestoi me moton "Mos harro".
Ndërkaq, sot në Gërdec, pranë vendit të kraterit ku u realizua shpërthimi fatal, do të mblidhen në një ceremoni të veçantë edhe familjarët e viktimave dhe të lënduarve në tragjedi, duke nderuar në këtë mënyrë të afërmit e tyre, që u lënduan nga kjo tragjedi.
Dy vjet nga kjo tragjedi e rëndë, ende vazhdon të mbetet i hapur procesi gjyqësor rreth të pandehurve të saj, të cilët janë më shumë se asnjëherë tjetër në historinë e gjyqësorit tonë, plot 29 të tillë.
n.e/NOA