Konstantin Zhigalov, i Dërguari i Posaçëm i Kryetarit të OSBE-së bën thirrje për përpjekje më të mëdha për kapërcimin e ngërçit politik
Tiranë, 15 mars 2010 - Kapërcimi i ngërçit politik është thelbësor që Shqipëria të vijojë të bëjë progres në zbatimin e axhendës ambicioze të reformave, deklaroi sot, gjatë vizitës së tij në Tiranë, i Dërguari i Posaçëm i Kryetarit të Radhës të OSBE-së, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Konstantin Zhigalov.
"Ne i njohim përparimet e bëra nga Shqipëria në realizimin e reformave demokratike", tha ai. "Klima e bashkëpunimit e vendosur në të kaluarën mes qeverisë dhe opozitës ka kontribuar në sukseset e rëndësishme të arritura në këtë drejtim", - ka shtuar z.Zhigalov.
Ai mirëpriti vendimin e Partisë Socialiste për të hyrë në Kuvend dhe shprehu shpresën se kjo do t'i hapte rrugë zhvillimit të debateve të ardhshme politike brenda parlamentit.
Z. Zhigalov nënvizoi se OSBE-ja qëndron e gatshme të mbështesë përpjekjet e partive politike të Shqipërisë për dialog politik.
"Gjithsesi, përgjegjësia për të zgjidhur situatën e tanishme, në fund të fundit, bie mbi aktorët kombëtarë," tha ai.
Gjatë vizitës, të gjithë bashkëbiseduesit theksuan vlerësimin për kontributin e OSBE-së në vazhdimësinë e progresit të reformave në vend. Zhigalov shprehu kënaqësinë e tij të thellë lidhur me bashkëpunimin e fortë mes Prezencës së OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe gjithë autoriteteve kombëtare.
Po ashtu, Zhigalov i njohu bashkëbiseduesit me planet e ardhshme të Kryesisë nën drejtimin e Kazakistanit, duke u ndalur te takimi i planifikuar ministerial informal, që pritet të zhvillohet në Almati, në verën e këtij viti.
"Këto takime do të jenë një mundësi e shkëlqyer për diskutimin, ndër të tjerave, të vazhdimit të procesit të Korfuzit, Dokumentit të Vjenës 1999, angazhimit të OSBE-së me Afganistanin dhe përmbajtjes së samitit të OSBE-së," tha ai.
Axhenda e Zhigolovit në Tiranë përfshin takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
e.r/NOA