English

Ndryshimet në ligjin për SHISH, opozitës i jepet shansi i fundit

Tiranë, 15 Mars NOA - Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ka bërë të ditur sonte se i jep një shans të fundit për nesër opozitës që të ofrojë pretendimet e saj mbi ligjin e ri për SHISH.

Komisioni, në cilësinë e komisionit përgjegjës, organizoi sot një seancë dëgjimore për projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, Për Shërbimin Informativ të Shtetit, të ndryshuar".

Në këtë seancë deputetët dëgjuan hartuesit e këtij projektligji, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, si dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, nëpërmjet Drejtorit të këtij Shërbimi, ku u njohën në hollësi me punën e tyre të përbashkët.

Folësit bënë të njohur se këto ndryshime demokratike bëhen të nevojshme për shkak të sfidave, me të cilat përballet SHISH, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë global, për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë.

Ndryshimet që propozohen zgjerojnë dhe saktësojnë detyrat e SHISH kundër terrorizmit, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, korrupsionit të personave që kanë funksione publike, etj.

Duke u mbështetur në përvojën e sotme të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE, këto ndryshime respektojnë standardet demokratike dhe rritin transparencën e këtij institucioni ndaj publikut, duke ftuar, për herë të parë, edhe opozitën të japë mendimin e vet për emërimin e Drejtorit të SHISH.

Në këtë mbledhje, opozita nuk mori pjesë, edhe pse z. Demi kontaktoi personalisht me z. Ruci për rëndësinë që ngërthen ky projektligj dhe që, kolegët opozitarë duhet të japin kontributin e tyre konkret.

Në këtë seancë dëgjimore morën pjesë ekspertë nga Institucionet ndërkombëtare -përfaqësues të misionit OBDAT, si dhe përfaqësues të misionit EURALIUS të Bashkimit Evropian.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka vendosur që nesër, më datë 16 mars, në orën 10:00, të diskutojë projektligjin nen për nen dhe të marrë vendimin përkatës. Duke përfituar nga ky rast, deputetët e shumicës thanë sot se ftojnë, edhe një herë, kolegët opozitarë të zënë vendet e tyre në Komision.

e.r/NOA

KOMENTE