Tiranë, 15 Mars NOA Update - I Dërguari i Posaçëm i Kryetarit të Radhës të OSBE-së, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Konstantin Zhigalov pohoi sot angazhimin e institucionit që përfaqëson për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, në rast se një gjë e tillë kërkohet nga pala shqiptare.
Z. Zhigalov nënvizoi se OSBE-ja qëndron e gatshme të mbështesë përpjekjet e partive politike të Shqipërisë për dialog politik.
Zhigalov shprehu kënaqësinë e tij të thellë lidhur me bashkëpunimin e fortë mes Prezencës së OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe gjithë autoriteteve kombëtare.
"Gjithsesi, përgjegjësia për të zgjidhur situatën e tanishme, në fund të fundit, bie mbi aktorët kombëtarë," tha ai.
Komentet u bënë gjatë vizitës që ai po zhvillon në Shqipëri, ku është takuar dhe me ministrin e jashtëm, Ilir Meta. Z.Zhigalov ka kërkuar thellimin e reformave, përfshi dhe atyre zgjedhore në përputhje me problemet e dala nga zgjedhjet e fundit.
"Kapërcimi i ngërçit politik është thelbësor që Shqipëria të vijojë të bëjë progres në zbatimin e axhendës ambicioze të reformave", - theksoi i dërguari i posaçëm i kreut të OSBE-së, Konstandin Zhigalov.
Nga ana tjetër, ai shprehu kënaqësinë për futjen në Kuvend të Partisë Socialiste. e.r/NOA