English

Përdor "motrën binjake" maqedone, kalon për në Itali me pasaportën e saj

Durrës, 15 Mars NOA - Ngjashmëria fizike që kishte me një të re maqedonase, është shfrytëzuar nga një vajzë 27 vjeçare kuksiane e cila ka marrë pasaportën e saj dhe ka tentuar të shkojë në Itali përmes Portit Detar të Durrësit, ku është zbuluar dhe ka përfunduar në shoqërim policor.

Policia e Durrësit tha sot se filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetases D. Sh., 27 vjeçare, lindur në Kukës e banuese në lagjen Nr. 14 Durrës.

"Procedimi penal ndaj saj filloi për arsye se dje rreth orës 22:00, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë Port Durrës, duke tentuar të udhëtoje në mënyrë të kundërligjshme për në Itali me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, duke përdorur për udhëtim pasaportën biometrike në emër të shtetases maqedonase E. C., duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me të", - i detajuan agjencisë NOA, burime zyrtare policore.

Materialet procedurale në ngarkim të saj për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

a.a/NOA

KOMENTE