Gjilan, 15 mars, NOA - Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Gjilanit, të cilat u zhvilluan ditën e djeshme. Lajmi u konfirmua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka publikuar dje rezultatet paraprake zgjedhore.
Vetë kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka thënë se Qemajl Mustafa ka fituar me 58 përqind të votave kundrejt kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi.
"Sipas shënimeve, të cilat i kemi marrë nga Komisioni komunal i zgjedhjeve në Gjilan, rezultati është si vijon: Partia Demokratike e Kosovës, kandidati Qemajl Mustafa, ka fituar 20 mijë e 71 vota, pra 58 përqind të votave; Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Fatmir Rexhepi, ka fituar 14 mijë e 506 vota, që korrespondojnë me 42 përqind të votave", ka thënë Lushta.
Ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Gjilan, sipas përfaqësuesve të KQZ-së, do të publikohen brenda kësaj jave. Për zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Gjilanit kanë qenë të hapura 127 qendra votimi, të cilat janë mbyllur në orën 19:00, ndërsa në fshatrat Budrikë dhe Cërrnicë, qytetarët nuk kanë votuar fare.
n.e/NOA