English

SHBA kundër BE për Maqedoninë

Uashington, 15 mars, NOA - Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë me raport kritik dhe më të ashpër për Maqedoninë, ndryshe nga raporti i Bashkimit Evropian i tetorit të vitit të kaluar, kur u përfitua edhe rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave me BE-në.

Dallimet mes këtyre raporteve janë të mëdha në çdo sferë, ku vërtetohen vlerësime kontradiktore për disa fusha, rreth arritjes së përparimeve apo shprehjes së kritikave.

Në raportin e evropianëve nuk janë shpalosur çështjet që tensionuan marrëdhëniet ndëretnike si dhe problemet e fundit të shkaktuara nga taborri maqedonas i prirur nga VMRO-DPMNE, duke mos përfshirë projektin për vendosjen e busteve, që ishte hartuar dy vite më parë, tensionet ndëretnike, mosrealizimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, rasti i

Sopotit dhe zhvillime të tjera.

Nga ana tjetër, raporti i DASH ka përfshirë gjitha zhvillimet dhe situatat tendosëse që ndikuan në krijimin e kushteve tensionuese në Maqedoni.

BE e zhgënjyer nga raporti inkurajues për Maqedoninë Bashkimi Evropian (BE) në tetor të vitit të kaluar publikoi një raport tejet inkurajues për Maqedoninë, duke dominuar kryesisht nota pozitive për përparime në Maqedoni, duke shmangur problemet evidente që penguan këtë vend.

Në Raportin e publikuar nga BE-ja, theksohej se Maqedonia ka bërë përparim të rëndësishëm në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe i përmbushi obligimet nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim. Në dokument citohej se zgjedhjet lokale dhe presidenciale në vitin 2009 i plotësuan më shumë standarde ndërkombëtare, është përmirësuar dialogu politik, koalicioni qeveritar është më stabël, klima politike është shumë më e mirë ndërsa Kuvendi është më efektiv. Përparim është regjistruar edhe në reformat e policisë, në gjykatë, në administratën publike dhe në luftën kundër korrupsionit, si dhe në fushat e transportit, doganës, tatimeve.

Është vendosur kornizë juridike dhe institucionale për realizimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Në dokument thuhet se Maqedonia në përgjithësi ka marrëdhënie të mira me fqinjët. Relacionet me Greqinë edhe më tej janë të prekura nga çështja e pazgjidhur për emrin.

Lidhur me kriteret ekonomike KE-ja vlerëson se Maqedonia përparon drejt vendosjes së një ekonomike të plotë funksionale të tregut.

Amerikanët vetëm realisht Tensionet midis maqedonasve dhe shqiptarëve po vazhdojnë të reflektohen në fushat sikurse janë arsimi, punësimi dhe participimi politik.

Kjo konstatohet në përfundim të raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për respektimin e të drejtave të njeriut në vitin 2009. Në raportin amerikan janë numëruar të gjitha çështjet e ngritura nga shqiptarët në Maqedoni, duke u nisur nga projekti "Shkupi 2014", përfaqësimi, ndarjet ndëretnike në shkolla, sulmet e tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve, ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, problemet e shqiptarëve me shtetësitë, rasti i Sopotit si dhe mungesa e reformave në gjyqësi. Në raportin e sivjetmë për të drejtat e njeriut në Maqedoni, vlerësohet se projekti "Shkupi 2014" ka ngritur çështje për përzierjen qeveritare në punë fetare. Sa i përket gjendjes nëpër shkolla theksohet se marrëdhëniet mes etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar janë të tendosura, ndërsa kjo manifestohet në shkollat e Strugës. Në raport theksohet edhe rrahja e banorëve të lagjes së Nerezit nga ana e tifozëve maqedonas "Komiti". "Policia e Maqedonisë është kritikuar, pasi ka dështuar ti përgjigjet shpejtë incidentit, ku komitët maqedonas sulmuan banorët e pafajshëm", theksohet në raport. Shqiptarët etnikë vazhduan të ankohen për përfaqësimin e pabarabartë në ministritë e qeverisë. Disa shqiptarë etnikë kanë pohuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk u jep shtetësinë edhe pse i kanë përmbushur kushtet e kërkuara me ligj. Problemet evidentohen edhe rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa përfaqësimi në ushtri dhe polici mbetet një mollë sherri për shqiptarët. Raporti i DASH përmend edhe proceset e montuara siç potencohet edhe rasti i Sopotit. Në këtë raport shpjegohet procedura e shqyrtimit të këtij rasti nga ana e një komisioni parlamentar për hetimin e rastit të Sopotit. Administrata amerikanë ka shprehur kritika të ashpra edhe për funksionimin e gjykatave, të cilët janë vlerësuar si institucione të pareformuara dhe të përfshira në korrupsion. Në shënjestër të kritikave të raportit të DASH kanë qenë edhe sfera të tjera institucionale në Maqedoni.

n.e/NOA

KOMENTE