English

Socialistët mbërrijnë në Gërdec

Gërdec, 15 mars, NOA Update - Ashtu siç bënë edhe një vit më parë në ceremoninë përkujtimore për nder të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, edhe këtë vit në të njëjtën datë, socialistët e përfaqësuar nga kryetari i tyre Edi Rama, kanë mbërritur në Gërdec për të kryer homazhe dhe përkujtuar tragjedinë fatale.

Ndërsa banorët e fshatit që u godit dy vjet më parë, konkretisht më 15 mars 2008, kanë zhvilluar homazhe në kraterin ku humbën jetën nga shpërthimi i një fabrike demontimi armësh të afërmit e tyre, atyre iu janë bashkuar edhe përfaqësuesit socialistë.

Me në krye Edi Ramën, ata mbajnë në dorë lule dhe kurora, në shenjë nderimi për 26 viktimat që humbën jetën nga kjo tragjedi e rëndë.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se para godinës së kryeministrisë do të zhvillohet një protestë nga banorët e Gërdecit, në shenjë rebelimi ndaj asaj që ata e quajnë "neglizhencë" për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, edhe sot pas dy vjetësh.

Por është edhe Lëvizja Mjaft e cila bëhet me dijeni se do të organizojë një manifestim-proteste në fshatin Gërdec për ngjarjen e rëndë e cila mori 26 jetë njerëzish dhe plagosi rreth 300 të tjerë.

n.e/NOA

KOMENTE