Tiranë, 15 Mars NOA - I plotë/ - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deputetë të Tiranës dhe Durrësit, si dhe përfaqësues të tjerë socialistë kanë vizituar sot kraterin e Gërdecit në kujtim të 2 vjetorit të tragjedisë.
Përfaqësuesit e lartë socialistë kanë vendosur kurora me lule dhe kanë kryer homazhe afër kraterit në kujtim të 26 jetëve të humbura në këtë tragjedi që nuk kurseu as fëmijë e gra.
Në fjalën e mbajtur për mediat, deputeti Namik Dokle, në emër të Partisë Socialiste ka akuzuar qeverinë, duke u shprehur se krateri i Gërdecit është krateri i dhimbjes për jetën e njerëzve, është krateri i akuzës për ata që ngritën fabrikën e vdekjes.
"Është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike, pa iu hyrë gjemb në këmbë." tha Dokle në 2 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit.
"Ne, deputetët e Tiranës edhe të Durrësit, bashkë më Kryetarin e Partisë dhe përfaqësues të tjerë socialistë, erdhëm këtu që të vëmë kurorat e përkujtimit, në kraterin ku vdiqën 26 burra, gra, djem edhe vajza', - theksoi Dokle.
"Ai krater është krateri i dhimbjes edhe krateri i akuzës. Është krateri i dhimbjes, sepse aty u prenë ëndrrat e fëmijëve për një jetë më të mirë. Aty u prenë shpresat e nënave për jetën e fëmijëve të tyre. Aty u prenë projektet e baballarëve për jetën e familjeve të tyre. Kjo dhimbje nuk mund të harrohet as nga ne, dhe as nga të gjithë shqiptarët".
Dokle kujtoi faktin se dje ishte Dita e Verës, festë për Shqipërinë dhe për gjithë njerëzit, dhe është tepër e dhimbshme që të gjithë pastaj të kujtojmë 26 të vrarë nga korrupsioni qeveritar, nga makutëria e qeveritarëve.
"Për këtë arsye ai krater, siç është krateri i dhimbjes për jetët e njerëzve. Është edhe krateri i akuzës për ata që e ngritën fabrikën e vdekjes këtu, për ata që sajuan këtë masakër duke dashur të fitojnë mbi kurrizin e Shqipërisë dhe mbi të gjitha duke fituar edhe me jetët e njerëzve", - theksoi Dokle.
Sipas tij, "është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike, pa ju hyrë gjemb në këmbë, për arsye që qeveria dhe qeveritarët, i sajojnë, i organizojnë dhe mashtrojnë shqiptarët dhe Shqipërinë".
"Ne u japim fjalën familjarëve që asnjëherë nuk do të ndalojmë së kërkuari të drejtën për këtë tragjedi të madhe që ka ndodhur këtu në Gërdec, që ishte një dhimbje e madhe për të gjithë shqiptarët", - përfundoi z.Dokle.
e.r/NOA