Durrës, 15 Mars NOA - Një gazetare është ndaluar sot nga policia e Durrësit pasi akuzohet për mashtrime në seri, informon korrespondenti i agjencisë NOA. Policia tha se e kishte shpallur në kërkim të dyshuarën ndërkohë që një vendim gjykate për ndalimin e saj, priste të ekzekutohej që më 26 janar të këtij viti.
"Arlinda Baroti, 38 vjeçe, lindur e banuese ne lagjen Nr. 13 Durrës, me arsim të lartë, me profesione gazetare dhe përkthyese, e divorcuar, me një fëmijë, e padënuar më parë, u ndalua për arsye se Prokuroria e Rrethit Durrës ka nxjerrë urdhrin e datës 25 janar 2010 për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Durrës të datës 10 dhjetor 2008 në bazë të të cilit ajo është dënuar me 3 vjet burg për veprën penale të mashtrimit të kryer më shumë se një herë", - detajuan burimet policore.
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Durrës rezulton se gazetarja Arlinda Baroti ka mashtruar tre shtetas të cilëve iu ka premtuar se do t'u siguronte viza italiane me qëllim dërgimin në Itali të të afërmve të tyre.
Burimet nga hetimi i thanë agjencisë NOA se këtyre tre qytetarëve, u kishte premtuar se do të pajiste me viza në dy raste nuset e djemve të dy prej tyre dhe në rastin e tretë, mbesën e hallexhiut që s'merrte dot vizë direkt në ambasadë. Sikundër kanë pohuar këta qytetarë, donin që nuset e djemve dhe mbesa, të shkonin pranë familjeve të tyre në Itali.
Por gazetarja në fjalë, këtë gjë nuk e bënte për bamirësi. Ajo u kishte marrë që të treve nga 2000 deri në 2500 euro por ajo nuk u ka siguruar vizat dhe as u ka kthyer më shumat e përfituara prej tyre.
Me rënien në pranga të Barotit, policia tha se materialet proceduriale lidhur me gazetaren dhe përkthyesen, iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
a.a/NOA