English

Alibali: Ligji i ri për mineralet garanton konkurrencën

Tiranë, 16 mars, NOA - Përfaqësuesit e pushtetit lokal në zonat minerare kanë diskutuar sot me zëvendësministrin e Ekonomisë, Neritan Alibali, projektligjin e ri për "Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë". Në fjalën e tij, Alibali ka vlerësuar nxitjen e konkurrencës mes operatorëve të ndryshëm që ofron ky ligj.

"Qëllimi i këtij projektligji është nxitja e veprimtarisë minerare në Shqipëri, nëpërmjet sigurimit të transparencës dhe konkurrencës së lirë, zhvillimin e kësaj veprimtarie, maksimizimin e përfitimit publik dhe garantimin e mjedisit dhe qytetarëve nga rreziku minerar. Objekti i tij janë rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare dhe post minerare në Republikën e Shqipërisë", u shpreh në fillim të fjalës së tij zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Alibali shtoi më tej se, ligji i ri minerar përmban disa elementë të ligjit paraardhës, me përmirësimet e duhura, por njëherësh ka dhe shumë elementë të rinj që lidhen me një sërë aspektesh, në të cilat bazohet ky ligj.

Ai përmendi disa prej këtyre aspekteve, si lehtësimi i procedurave të lejemarrjes, përcaktimin e qartë të rolit të shtetit si promovues i pasurive minerare nëpërmjet rivlerësimit të pasurive natyrore të vendit, zgjerimin e autoritetit të qeverisjes vendore, etj.

Sipas tij ligji sjell disa risi, si futjen e konceptit të planifikimit strategjik minerar, të konceptit të pronësisë përtej detit territorial, parashikimin e rentës minerare, kadastrës dhe rregjistrit minerar.

Sipas njoftimit të ministrisë së Ekonomisë, projektligji "Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë" është komentuar dhe Sokol Mati, Drejtor i Politikave Industriale, si dhe Taulant Musabelliu, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

m.xh/NOA

KOMENTE