English

Claudio Pozzani rikthehet sërish

Tiranë, 16 mars, NOA / Milena Selimi - Claudio Pozzani rikthehet i ftuar në Shqipëri në kuadër të veprimtarive "Italia e Albania 2010- due Popoli un Mare, un Amicizia" dhe do të performojë poezinë dhe CD me zërin e tij "La marcia dell'ombra" në Tiranë, Berat, Durrës, Shkodër nga data 16 deri më 20 mars 2010.

Poeti dhe performuesi italian i poezisë Claudio Pozzani rikthehet në Shqipëri pas 5 vitesh.

Krijimtaria e tij është e njohur për lexuesin përmes botimit dygjuhësh "Nuk di nëse deti/ Non so se il mare", përkthyer në shqip nga Silvana Leka dhe botuar nga Ideart.

Claudio Pozzani lindi në Xhenova në vitin 1961. Ai është i njohur në Itali dhe Europë si poet, prozator dhe muzikant.

Gjithashtu ai është shquar për performancat dhe teatrin e poezisë të cilat i ka paraqitur në Festivalet më të njohura të poezisë në botë që nga ai i Medellin-it (Kolombi), Rosario-s (Argjentinë), Strugës (Maqedoni), Montreal-i (kanada), Vjenë, Paris, Barcelonë, Zyrih, Bratislavë, Lubljanë, Petërburg, Zagreb si dhe në panairet e njohura të librit në Torino, Paris e Frankfurt.

Poezitë e tij janë përkthyer në mëse dhjetë gjuhë dhe janë përfshirë në antologjitë dhe revistat më dinjitoze bashkëkohore.

Claudio Pozzani është anëtar i komisionit të UNESCO-s për Poezinë.

Përmbledhja e tij e fundit me poezi është botuar në 2001 në version dygjuhësh (italisht-frengjisht) me titullin "Saudade & Spleen", botuar nga shtëpia botuese prestigjioze Editions Lanore në Paris.

Si prozator ai ka botuar romanin "Angolazioni temporali", "Kate ed io" si dhe përmbledhjen "Racconti dai piedi freddi".

Në vitin 2002, me rastin e Ekspozitës së Librit në Paris, kushtuar Italisë, në Francë u botua romani i Claudio Pozzani-t "Kate et moi" nga shtëpia botuese La Passe du Vent. Në vitin 1983, Pozzani themeloi Circolo dei Viaggiatori nel Tempo, një shoqatë kulturore që është fokusuar veçanërisht drejt poezisë dhe organizon festivale dhe veprimtari ndërkombëtare në të gjithë Europën.

Mes këtyre përmendet, Festivali Ndërkombëtar Poetik i Xhenovas, Javët Poetike të Parisit, Festivali i Helsinkit, Festivali Liqeni i Muzave në Liqenin e Gaedas. Në 2001 Claudio Pozzani krijoi Shtëpinë Ndërkombëtare të Poezisë me qendër në Pallatin Dukal të Xhenovas.

Si muzikant, në 1986, Claudio Pozzani krijoi grupin e rock-ut Cinano, me të cilin ka realizuar turne të shumtë në Itali dhe Europë si dhe është përfshirë në Enciklopedinë Italiane të Muzikës botuar nën kujdesin e Renzo Arbore-s.

Që nga viti 1990, Pozzani është drejtues dhe kompozitor i Orkestrës Eczema, një formacion i muzikës rumorsinfonike që ka kryer mjaft koncerte dhe ka prodhuar 4 videoklipe.

Për veprimtarinë e tij kulturore dhe performancat poetike, poeti dhe dramaturgu i shquar Fernando Arrabat e ka përcaktuar Claudio Pozzanin si "mjeshtër i së padukshmes, yshtës i ëndrrave, vjedhës i zjarrit: zemra e tij vallëzon në shtretër mbretërorë feste".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE