Tiranë, 16 mars, NOA - Shqipëria gjendet në prag epidemie të duhanpirjes nga të gjitha shtresat dhe moshat. Pas publikimit të studimit demografik kombëtar, specialistët e shëndetit publik kanë nisur analizën e të dhënave të cilat tregojnë saktë se në çfarë gjendje ndodhet aktualisht vendi ynë në krahasim me rajonin dhe më gjerë.
Sipas drejtorit të ISHP, Alban Ylli, studimi tregoi se rreth 43 për qind e meshkujve në qytet e fshat dhe 5 përqind e femrave pinë duhan, por rreziku nuk qëndron tek shifrat.
Ylli shpjegon se epidemia prej kohësh ka prekur Tiranën, ku numri i duhanpirësve po vjen në rritje çdo vit. Frika qëndron në përhapjen e konsumit të duhanit tek të gjitha shtresat e moshat dhe nisja herët e duhanpirjes tek moshat e reja.
"Të dhënat e studimit na treguan se po konsumohet duhan kudo dhe nga të gjithë, po e pinë të rinj e të rritur pa dallim shtrese, si në fshat dhe qytet, me status ekonomik të lartë e të ulët, me nivel të ulët arsimor dhe me arsim të lartë. Rreziku qëndron tek fillesat e duhanpirjes, në vendin tonë këto po fillojnë masivisht në shkollat e mesme dhe për këtë arsye ne do të nisim një fushatë kombëtare në gjimnazet e vendit për ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rreziqet që shkakton pirja e duhanit në shëndetin e tyre", u shpreh drejtori i ISHP, Alban Ylli.
Specialistët e ISHP thonë se, Tirana mbetet epiqendra e epidemisë së duhanpirjes dhe për reduktimin e numërit, specialistët e shëndetit publik janë skeptikë.
Sipas të dhënave të studimit kombëtar ndryshe nga shifrat e rajonit në Shqipëri rreziku qëndron tek fuqia e duhanpirësve për të mos e lënë atë.
Për të frenuar epideminë e duhanpirjes, si rreziku serioz i shëndetit të shqiptarëve, drejtori i ISHP, Alban Ylli, thotë se problem mbetet moszbatimi i ligjit antiduhan dhe masat e tjera që duhet të ndërmerren për të frenuar tendencën e duhanpirjes nga të gjitha moshat.
b.a