Tiranë, 16 mars, NOA/ Milena Selimi - "Pranvera Frankofone" është vetëm vazhdimi i përcjelljes së kulturës franceze në Shqipëri.
Ambasada Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe ambasadat rumune, egjiptiane, greke, maqedonase si dhe institucionet kulturore në vend, do të sjellë aktivitete të shumta kulturore që nisin në datat 19 mars-7 prill 2010.
Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë (20 mars) është rasti për të festuar frankofoninë, e ndërtuar në bazë të diversitetit kulturor, që është simboli të cilin ajo e mbron si një të drejtë fondamentale.
Frankofonia ka luajtur një rol të rëndësishëm për UNESCO-n për të adaptuar Konventën mbi mbrojtjen dhe diversitetin e shprehjes kulturore, pasi shtetet që janë pjesë e kësaj konvente të bëhen partnerë të këtij organizimi.
Është vokacioni i thellë i frankofonisë, që nëpërmjet gjuhës frënge në 20 mars të takohen të gjithë kontinentet dhe kulturat.
"Frankofonia u ka rezistuar sprovave të kohës dhe ka ditur të rigjenerohet e reformohet duke ruajtur identitetin e saj jo vetëm falë angazhimit militant të gjithë atyre që i kanë shërbyer dhe e kanë përkrahur me besnikëri përgjatë këtyre dyzet vjetëve, por edhe falë gjuhës dhe vlerave të cilat na bashkojnë".
Me këto fjalë, sekretari i Përgjithshëm i Frankofonisë, Abdou Diouf, tregon për misionin e frankofonisë në të gjithë shtetet ku ajo përcjell kulturën dhe vlerat e gjuhës frënge.
Ky aktivitet do të nisë më 20 mars me shfaqjen koncert "Korri i fjalëve", i cili do të jepet në Cirkun e Tiranës.
Për të vazhduar më tej me konferencën "Muzika dhe komunikimi", drejtuar nga prof. Åžerban Dimitrie Soreanu, i universitetit të Muzikës, Bukuresht në Akademinë e Arteve, Tiranë.
"Pranvera Frankofone" do të sjellë për të gjithë frankofonët "Mbrëmje poetike franceze (në shqip), bisedë me Edmond Tupen rreth 10 fjalëve të Frankofonisë, konkurs i 10 fjalëve të Frankofonisë në Korçë.
Interesant mendohet të jetë më 25 mars një homazh për shkrimtarin Albert Kamy - "Një Arsye për të jetuar dhe një arsye për të vdekur", e cila do të mbahet në Aleancën Franceze, si dhe takimi për "Georges Brassens, njeriu, këngëtari, poeti" mbajtur nga departamenti i gjuhëve franceze, universiteti "L. Gurakuqi", Shkodër si dhe një prezantim nga poeti Skënder Sherifi i vëllimit të tij në dy gjuhë, "I dashuruari i përjetshëm i dy gjuhëve dhe kulturave".
Shkrimtarja zvicerane me origjinë shqiptare, Besa Myftiu (pedagoge në Universitetin e Gjenevës) do të prezantojë librin "Rrëfime nga vendet e harruara", shoqëruar prej këngëtares së muzikës xhaz Elina Duni dhe pianistit Gentian Rushi.
Në programin e "Pranverës Frankofone" vihen re edhe projeksionet e filmave si: "Gjeli kokëprerë", realizuar nga regjisori rumun Radu Gabrea , "Lufta mbaroi", realizuar nga maqedonasi Mitko Pano, "Ujë dhe zjarr", realizuar nga Kiro Urdin, "Misteret e Egjiptit" me Omar Shariff, realizuar nga Bruce Neibaur.
Teatri, si një nga shtyllat e rëndësishme të këtij aktiviteti do të ketë pikëtakimet e tij me publikun me shfaqjet "Ishulli i të gjitha rreziqeve" nga Ann Rocard, interpretuar nga nxënësit e Liceut të gjuhëve të huaja Asim Vokshi në Tiranë, si dhe teatri në shqip "Sonte jam vetëm" nga André-Paul Antoine vënë në skenë nga Enver Petrovci, me aktorët Ilir Tafa dhe Niada Saliasi, një shfaqje që do të interpretohet në sallën "Çehov" të Teatrit të Metropolit në Tiranë.
Priten koncerte recitale nga Pascal Gallet dhe koncert i Trios Alexis Rault- Alex Beaupain - Pierre Souchon .
Organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme Franceze dhe Shqiptare, "Pranvera Frankofone" do të ketë një lëvizje në shumë qytete të vendit si Tiranë, Korçë, Përmet, Shkodër, Elbasan, duke ruajtur një gjithëpërfshirje të aktiviteteve si koncerte, takime poetike, homazh për shkrimtarët francezë, teatër dhe performancë artistike.
m.s/n.e/NOA