Bruksel, 16 mars, NOA - Kosova duhet ta bëjë realitet perspektivën evropiane, ka qenë mesazhi i hedhur nga komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Stefan Fule, në prag të vizitës së tij në Kosovë. Sipas tij, Kosova ka ende sfida para saj, duke shtuar se "situata e sigurisë, edhe pse stabile, ende është e brishtë".
"Konsolidimi i sundimit të ligjit në tërë Kosovën kërkon përpjekje të mëtejshme. Krimi i organizuar, pastrimi i parave, reformimi i administratës publike janë që të gjitha fusha që kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme", pohoi ai.Më tej, shtoi se pret me padurim që të punojë me njerëzit e Kosovës për të siguruar reforma të qëndrueshme dhe përfitime konkrete në rrugën për në Evropë.
"Personalisht e kam përjetuar se si zgjerimi mund të ndryshojë shoqëritë për të mirë. Jam i bindur se anëtarësimi në BE është kyç për të ardhmen e rajonit", thuhet në një deklaratë të Fules, të cilin e përcjell zyra për informim e Komisionit Evropian në Kosovë.
Ndërsa lidhur me vendimin përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Fule tha se "është me rëndësi që kjo mundësi të shfrytëzohet për të krijuar një dinamikë pozitive të bashkëpunimit rajonal dhe dialogut konstruktiv".
n.e/NOA