Tiranë, 16 mars, NOA -Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, Kandido Konde Pumpido Touron, ka vlerësuar arritjet e prokurorisë shqiptare në takimin e zhvilluar sot me Presidentin Bamir Topi.
"Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, pasi çmoi përparimin e dukshëm dhe ndryshimet pozitive të organit të akuzës së Shqipërisë, shprehu gjithë gatishmërinë dhe mbështetjen institucionale për dhënien e përvojës dhe ndihmesës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së institucioneve të të gjitha vendeve që aspirojnë për t'u integruar në Bashkimin Evropian dhe në veçanti të vendit tonë", thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës në lidhje me deklaratën e kryeprokurorit spanjoll.
Ndërsa, Presidenti Topi vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në rrugën e realizimit të reformave integruese të vendit në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet e vazhdueshme për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të këtyre reformave të rëndësishme, sidomos asaj në sistemin e drejtësisë.
Topi theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e një rëndësie të veçantë dhe shikohet nga shteti shqiptar si një përparësi, ndërkohë që në këtë drejtim ka patur mbështetjen e duhur dhe asistencën e vazhdueshme të ekspertëve ndërkombëtarë.
"Ne vlerësojmë lart bashkëpunimin bilateral në fushën e drejtësisë mes institucioneve shtetërore dhe strukturave përkatëse të Shqipërisë e të Spanjës dhe jemi të bindur në vijimësinë e këtij bashkëpunimi dhe në të ardhmen për forcimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë e cilësisë së institucioneve të sistemit të drejtësisë", është shprehur Topi.
m.xh/NOA