Tiranë, 16 mars, NOA - Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë vlerëson progresin e Shqipërisë në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave si dhe arritjet e Policisë së Shtetit në kuadër të zbatimit të objektivave të projektit PAMECA III.
Vlerësimet u shprehën nga shefi i delegacionit të KE, ambasadori Helmut Lohan, në takimin e katërt të Bordit të Palëve të Interesuara të projektit të asistencës policore të Komisionit Europian, PAMECA III.
"Ne kemi parë progres të rëndësishëm gjatë këtyre gjashtë muajve. Kemi parë progresin e projektit PAMECA jo vetëm në ecjen e tij përpara, por edhe në dhënien e këshillave konkrete. Jam i sigurt se kjo punë e deritanishme do të gjenerojë më shumë sukses në periudhën afatgjatë dhe mendoj se projektet janë tashmë në rrugë të drejtë", tha në fjalën e tij Lohan.
Më pas, përmendi në mënyrë të veçantë progresin e evidentuar edhe nga ekspertët e misionit të Komisionit Europian në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.
"Progresi në këtë fushë është raportuar edhe më parë nga kolegët ambasadorë. Do të thoja se ky progres erdhi në kohën e duhur", shtoi Lohan.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha gjatë fjalës së tij në takimin e katërt të Bordit të Palëve të Interesuara të projektit të asistencës policore të Komisionit Europian, PAMECA III, vlerësoi ecurinë e qëndrueshme të projektit dhe sidomos arritjet gjatë 6-mujorit të fundit.
Ai theksoi faktin se objektivat e përcaktuara në kuadër të projektit jo vetëm u realizuan plotësisht, por edhe u përshpejtuan si rezultat i një prej motiveve kryesore të Policisë së Shtetit, përmbushja e çdo kriteri të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
n.e/NOA