Tiranë, 16 mars, NOA -I Dërguari i Posaçëm i OSBE-së, Konstantin Zhigalov, u shpreh sot gjatë takimit me Presidentin Bamit Topi, se ky institucion shpreson në një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për kthimin e situatës normale politike në vend.
Në takimin e zhvilluar me kreun e shtetit, Zhigalov ka vlerësuar dhe rolin që ka pasur numri një i vendit në gjetjen e konsensusit mes palëve.
"I dërguari i posaçëm i OSBE-së, Zhigalov, vlerësoi rolin e Presidentit Topi në mbajtjen e tryezës politike mes mazhorancës dhe opozitës dhe vuri në dukje rëndësinë e rivendosjes së dialogut politik, hyrjes së opozitës në Kuvend duke nënvizuar shpresën se për Komisionin Hetimor Parlamentar do të arrihet një marrëveshje me qëllim funksionimin e plotë dhe normal të jetës politike dhe të institucioneve në vend", njofton zyra e shtypit e Presidencës në lidhje me takimin mes dy personaliteteve.
Në takim, Presidenti Topi ka shprehur mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme që OSBE-ja ka dhënë për forcimin e demokracisë shqiptare.
Topi e ka njohur përfaqësuesin e OSBE-së me zhvillimet aktuale në vend. Kreu i shtetit është ndalur në mënyrë të veçantë në ecurinë e tryezës politike dhe rivendosja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës.
Presidenti ka vënë në dukje edhe dëshirën dhe vullnetin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2014.
m.xh/NOA