Tiranë, 16 mars, Update, NOA - Deklarata e bërë nga zëvendësministrit i Brendshëm, Ferdinand Pone, për nisjen e procedurave ligjore ndaj kryetari të grupit parlamentarë të PS-së, Gramoz Ruçi, ka shënuar dhe pikën më kulmore të debatit mes mazhoranacës dhe opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit. Më poshtë paraqesim të plotë deklaratën e zëvendësministrit Pone dhe bazën ligjore ku mbështet akuza ndaj PS-së.
Deklarata e plotë e zëvendësministrit Ferdinand Pone
Sot më datë 16.03.2010, mbështetur në nenet 280 dhe 281 të K.Pr.P, me shkresën Nr 1780/1, protokolluar në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, po në datë 16.03.2010 në Nr 1568 protokolli, Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, ka depozituar kallëzimin penal me objekt: Kallëzim për veprat penale të"Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave" dhe të "Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik",parashikuar nga nenet 189 dhe 267 të KP. Parashtrimi i fakteve që çuan në këtë veprim të Ministrisë së Brendshme është ai që tashme njihet botërisht:
Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 Mars 2010, është deklaruar publikisht se ka prova e fakte të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false (letërnjoftimeve elektronikë). Ky pohim është ripërsëritur nga mediat e shkruara si edhe në emisionin "Ora e Debatit" të datës 12.3.2010 në Televizionin "Ora Neës".
Duke konstatuar se deklaratat mbi ekzistencën e kartave te identitetit false, vërtetojnë faktin se është kryer një vepër penale e cila parashikohet në legjislacionin shqiptar e konkretisht në nenin 189 te Kodit Penal, duke mos pasur dijeni mbi autoret e kësaj vepre penale si dhe personat e tjerë që kane dijeni mbi rrethanat e faktet, si dhe duke mos u njohur me ndonjë veprim të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për fillimin kryesisht te veprimeve procedurale, mbi faktet e bëra publike, Ministria e Brendshme, bazuar në nenin 281 të Kodit te Procedurës Penale, paraqiti përpara Prokurorisë së rrethit gjyqësor kallëzimin penal.
Sjellim në vëmendje të opinionit publik se janë parashikimet ligjore të neneve 189, 267, 280 dhe 281 te KP që mbështesin kallëezimin penal të bërë nga Ministria e Brendshme.
Ministria e Brendshme, në cilësinë e autoritetit mbikëqyres të Kontratës Koncesionare "Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit" është tepër e interesuar që të zbardhet tërësisht e vërteta rreth deklarimeve publike, të vihen në dispozicion të prokurorisë dokumentet e paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, të sqarohet se pse dhe në ç'mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kane marre dijeni për këtë informacion e të tjera pyetje, që vërtet do të mund të sqaronin çështjen, por edhe do të ruanin këtë projekt madhor për Shqipërinë nga ndërhyrje që mund të cenonin soliditetin e tij apo që më keq, që synojnë të prekin pa asnjë bazë imazhin e procesit.
Ministria e Brendshme shpreh bindjen e plotë mbi pamundësinë e falsifikimit te dokumenteve origjinale te prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të BE-së e më gjerë.
Nga ana tjetër, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, është provuar të jetë një sistem solid, që mishëron teknologjinë e fjalës së fundit në fushën e identifikimit dhe procedura strikte të mirëpërcaktuara për aplikimin dhe shpërndarjen e Letërnjoftimit Elektronik dhe Pasaportës Biometrike. Këto vlerësime janë dhënë Në Raportin e datës 14 Shtator 2009 të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 28 qershorit 2009, ku vlerësohet së tepërmi procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me Letërnjoftim Elektronik, por edhe nga ekspertët e fushës të BE-së të cilët kanë inspektuar dhe monitoruar sistemin në tërësinë e vet, në kuadrin e Procesit të Liberalizimit të Vizave (Blloku i parë).
Duke qene se evidentohen apo ravijezohen mjaft qarte elementet e vepres penale Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për veprimet e konstatuara dhe është e mendimit se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndodhet në kushtet e fillimit të çështjes penale, në përputhje me nenet 153 e në vijim (dëshmia) dhe nenin 280 e në vijim (Marrja dijeni për veprën penale) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Për sa më sipër, duke pasur parasysh rëndësinë e pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti të standardeve evropiane të një cilësie dhe sigurie të lartë, duke reflektuar besueshmëri tek partnerët evropianë si dhe tek qytetarët shqiptarë, për të shmangur raste të tilla në të ardhmen, kërkuam regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e procedurave të verifikimit e hetimit të fakteve përkatëse ndaj dokumenteve të paraqitura dhe personave që kanë dijeni për çështjen.