English

Rreth 500 mijë kosovarë pinë duhan

Prishtinë, 16 mars - Zbatimi i Ligjit për Duhanin do të mbronte shëndetin e popullatës, por edhe do të dëshmonte se Kosova është një vend ku respektohet ligji. Kështu u tha sot në një debat lidhur me strategjinë e veprimit për zbatimin e Ligjit për duhanin, "Ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike", të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), në bashkëpunim me Organizatën KADC.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se nuk ka statistika të sakta se sa është përqindja e personave që pinë duhan, mirëpo sipas hulumtimeve të mëhershme, mendohet se në Kosovë në mënyrë aktive tymosin rreth 500 mijë njerëz. Folës të tjerë në këtë debat konstatuan se në Kosovë mungojnë iniciativat e bashkëpunimi për implementimin dhe zbatueshmërinë e Ligjit kundër duhanit, ndërsa u bënë thirrje institucioneve përkatëse që ky ligj të zbatohet, me qëllim të vetëdijesimit të shoqërisë. Përfaqësuesi i KADC-it, Shkumbin Spahija, tha se zbatimi i këtij ligji paraqet një rëndësi të veçantë, jo vetëm për shëndetin e popullatës së Kosovës, por edhe për të dëshmuar se Kosova është një vend ku respektohet ligji. "Statistikat tregojnë se në vendet ku është e ndaluar pirja e duhanit në vende publike, numri i të sëmurëve kardiovaskulare ka rënë nga 20 deri në 12 për qind, ndërsa numri i duhanpirësve ka rënë deri në 30 për qind.

Andaj zbatimi i këtij ligji paraqet një rëndësi të veçantë jo vetëm për shëndetin e popullatës së Kosovës, por edhe për të dëshmuar se Kosova është një vend ku respektohet ligji dhe se kultura qytetarëve të saj është pjesë e trendëve kulturore të vendeve të BE-së dhe rajonit", ka thënë Spahija, transmeton KosovaPress. /Express/

KOMENTE